Rama në takim me emigrantët shqiptarë në Itali: Ju jeni përbashkuesit e dy brigjeve të Adriatikut

Milano (Itali), 26 maj 2024 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimin me bashkatdhetarë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali, që u zhvilluar të dielën në Milano, tha se shqiptarët në Itali janë përbashkuesit e dy brigjeve të Adriatikut, Shqipërisë dhe Italisë.

“Një përqafim të gjithëve kudo janë nga kjo arenë e mrekullueshme ku flamujt kuqezi dhe tre ngjyrëshi italian dëshmojnë lidhjen e përjetshme mes dy popujve që i ka bashkuar një det i tërë historie. Shqiptarët e Italisë jeni shëmbëlltyra më rrezatuese e pararojave shqiptare të ribashkimit me Europën. Ju, jo politika as media as biznesi. Ju jeni përbashkuesit e dy brigjeve të Adriatikut. Jeni fuqia më e madhe e rikthimit të Arbërisë së vjetër e Shqipërisë së re. Dje kjo dukej gjëja më e pamundur në botë kur u bëtë mbartësit e peshës tronditëse të misionit historik”, tha Rama.

Rama tha gjithashtu se shqiptarët që jetojnë e punojnë në vendet e Bashkimit Evropian janë, siç u shpreh, “shembulli më rrezatues i pararojës shqiptare të bashkimit me Europën”.

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama u bëri thirrje shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Itali që të kthehen në Shqipëri dhe të investojnë. Sipas tij, Shqipëria sot ofron shumë mundësi.

“Ai që do kthehet më shpejt, do ketë më shumë vite në paqe, për shpirtin e ndarë në dysh. Nuk jeni të detyruar të zgjidhni o njërën o tjetrën mes të dyjave, sepse e keni mundësinë, këtu me halle andej me zemër. Por edhe me punë edhe me zemër, edhe këtu edhe atje.

Sot udhëheqësit vijnë në Durrës, sot në Shqipëri jetojnë 20 mijë italiane dhe numri I tyre rritet çdo javë. Afro 1 mijë të rinj e të reja studiojnë në Shqipëri, 3 mijë biznese janë italianë, shumë italianë vijnë në fundjavë. Sa shumë është shtrenjtuar jeta juaj këtu në Itali, ndërkohë kam një ftesë për t;ju bërë, të gjithë shqiptarëve që punojnë në hoteleri turizëm, informohuni vetë, jo nga ekranet, jo nga kanalet e mbushura me vrer politikë, informohuni sa janë pagat, sa merr dikush që  punon në hoteleri dhe bëni llogarinë Kush vjen i armatosur me dijen, është i fituar”, tha Rama në përfundim të fjalës së tij.

(Citatet nga Top Channel dhe Euronews Albania)