Reperi kontrovers amerikan, i njohur edhe si Ye, të cilit i është ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Australi, do të mbajë një koncert në Tiranë, më 11 korrik, njoftoi Kryeministri Edi Rama në Facebook.
Rama njoftoi të enjten se Kanye West do të zhvillohet një concert në Tiranë. Ai e publikoi këtë njoftim përmes një videoje të postuar në Facebook, ku shfaqej reperi kontrovers dhe një mesazh i shkurtër nga Rama: “11 korrik në Tiranë.”
Zyra e Kryeministrit tha për BIRN se koncerti nuk do të sponsorizohet nga institucionet shqiptare, por nuk pranoi të shpjegojë promovimin nga ana e kryeministrit të West, i cili ka pasur disa koncerte të anuluara në Evropë dhe Australi për shkak të shqetësimeve lidhur me antisemitizmin.
Ministria e Kulturës shpjegoi se koncerti do të vetëfinancohet nga shitja e biletave, por se një koordinim ndërinstitucional do të “lehtësojë” zhvillimin e tij.
“Në çdo aspekt, është detyrimi ynë të mirëpresim dhe të lehtësojmë zhvillimin e ngjarjeve të tilla që sjellin përfitime të shumta për turizmin dhe ekonominë”, tha ministria për BIRN.
Ajo shtoi se koncerti “do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.”
West, i njohur edhe si Ye, së fundmi u ndalua të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të komenteve antisemitike dhe një kënge që publikoi me titull “Heil Hitler”; paraqitja e tij e planifikuar në një festival në Londër u anulua. Një tjetër performancë e planifikuar në turneun e tij evropian, në Chorzów në Poloni muajin e ardhshëm, është anuluar gjithashtu.
Australia gjithashtu i ndaloi hyrjen West-it në vitin 2025.
Sidorela Vatnikaj, një aktiviste për të drejtat e njeriut në Tiranë, kritikoi vendimin për të vijuar me koncertin në Shqipëri.
“Organizimi i koncertit të tij në Tiranë është një ngjarje shumë problematike sepse… legjitimon një individ që shpesh ka përdorur popullaritetin e tij për të justifikuar dhe lavdëruar nazizmin”, tha Vatnikaj për BIRN.
Isa Myzyraj, kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, tha se “është e pakuptueshme pse kryeministri vendos të provokojë njerëzit duke promovuar Kanye West.”
“Rama është një lider shteti që në janar mbajti një fjalim në Knesset dhe shfaqet si mbështetës i Izraelit dhe, nga ana tjetër, disa muaj më vonë, promovon Kanye West, i cili, për arsye që i dimë të gjithë, ka promovuar jo vetëm antisemitizmin, por edhe udhëheqësin më barbar që ka njohur ndonjëherë njerëzimi (Hitlerin)”, tha Myzyraj për BIRN.
West ka fajësuar çrregullimin e tij bipolar për deklaratat dhe veprimet e tij antisemitike dhe pro-naziste. Ai publikoi një njoftim në The Wall Street Journal për të kërkuar falje dhe për të deklaruar se “Unë nuk jam nazist apo antisemit.”