Rama: Nuk do të legalizohet asgjë që është ndërtuar pa leje pas vitit 2020

Tiranë, 21 korrik 2025 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me deputetët e Tiranës dhe me drejtuesit e bashkisë së kryeqytetit, ku është diskutuar për procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje.

Rama ka thënë se nuk do të legalizohet asnjë godinë e ndërtuar pas vitit 2020 dhe se do të hartohet edhe lista e zezë e ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin ligjin. Ai ka thënë se do të ketë masa drastike edhe për ata që i shesin apartamentet disa herë.

“Së pari kemi diskutuar për procesin e legalizimit, terminologji abuzive nga individë që fillojnë zaptimin e hapësirës publike dhe bëjnë vetëdeklarimin si individ në proces legalizimit. Asgjë e ndërtuar pas 2020 nuk legalizohet. Është lejuar të bëhen vetëdeklarimin për t’i dhënë mundësi të bëjnë vetëdeklarimin kur nuk e kanë bërë në afat, por jo ndërto pas 2020 dhe kur ka nevojë për ndërhyje dalin e thonë jemi në proces. Të pavlefshme të gjithë deklarimet për godinat me qëllim fitimi. Nuk jemi këtu për të diskutuar shtëpitë, e familjeve që kanë futur kokën. Por për gjithë këtë mashtrim të madh përpara të cilit janë mbyllur sytë në një kohë të gjatë. Dhe interesi publik duhet të prevalojë, askush nuk duhet të nxjerri një copë letër jam në proces.

E dyta do miratohet me ligj lista e zezë e ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin ligjin. Kush futet në listë humbet lejen për ndërtimin. Do marrim masat për disa kategori ndërtuesish shumë problematikë si mashtruesit te zona ku ishin së bashku me ministrin e Drejtësisë ku nuk linin banorët të futeshin në pallat, edhe të tjerë si ata që i lënë blerësit e apartamenteve në rrugë pa dokumenta hipotekore. Masat do jenë drastike dhe bëj thirrje të vrapojnë ta zgjidhin pa dalë akti normativ, do i gjejë një bela, do e kenë të vështirë”, kas thënë ai.

Rama e ka cilësuar si shkelje ligji me vetëdije tejkalimin e lejeve të ndërtimit mbi 2 për qind dhe ka paralajmëruar se në këto raste nuk do ketë konfiskim të pjesshëm, por konfiskim të plotë të ngërtesave. Ai ka thënë se këto ndërtesa do t’i kalojnë shtetit dhe një pjesë e tyre do përdoren për strehim të njerëzve në nevojë.

“Do të sqarojmë përfundimisht edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që e kanë mbajtur anën e shkelësve të ligjit në ndërtime, kur vjen puna te shkelja e lejeve të ndërtimit me mbi 2 për qind të kufijve të lejes. Dy për qind është një përqindje krejtësisht e arsyeshme që përdoret edhe në vende të tjera të botës, sepse gjatë realizimit të një projekti mund të ketë devijime të natyrës teknike, por kur ky dy për qind kapërcehet, atëherë kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit. Jo të një pjese. Nuk mund të ketë një paligjshmëri të pjesshme.

Paligjshmëria është e plotë sepse shkelja në ndërtim dhe ndërtimi i kateve shtesë, ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi, nuk bëhen në një moment. Bëhen me muaj edhe me vite nganjëherë dhe janë një shkelje në vazhdimësi me vetëdije të plotë e ligjit.

Kështu që, kjo do të sjellë menjëherë kalim të asaj prone në duart e shtetit, i cili do të mbrojë blerësit, aty ku do të ketë blerës, dhe, nga ana tjetër, do të përdorë të gjithë pjesën tjetër për interes publik dhe për strehim të njerëzve në nevojë”, është shprehur Rama.

(r.m.)