Rama nuk fitoi, thjesht Berisha humbi -apo ‘Si të fitosh pa bërë asgjë “

Satirë nga Rafael Floqi

Në Shqipërinë tonë ku edhe zgjedhjet janë telenovela, 11 maji solli episodin më qesharak të serialit politik: “Berisha e humbi, por Rama fitoi!” Një fabul moderne për një popull që votoi më pak, por sërish nxori më shumë… për Ramën.

Si ndodhi kjo magji? Mos ndoshta Edi Rama shkëlqeu me ndonjë ide të re për shtetin? Ndoshta vendosi të hapte ndonjë muze të ri për rilindjen? Asgjë nga këto. Fitorja e tij spektakolare me 83 mandate është produkti më i pastër që ka prodhuar ndonjëherë matematikisht… dështimi i opozitës.

Rama fitoi, por pa rritur votat. Berisha humbi, por pa lënë postin. Populli votoi më pak, por Parlamenti u fry si tullumbace. Demokracia shqiptare – një spektakël ku edhe kur s’ka spektatorë, aktorët s’i lëshojnë kurrë rolet.

Ka ndodhur sërish! Edi Rama ka “fituar” zgjedhjet e vitit 2025 me 83 mandate – jo sepse shqiptarët u zgjuan me ndjenjën e thellë se Shqipëria po shkon drejt Finlandës, por sepse opozita vendosi t’i mbyllte sytë, veshët dhe gojën njëherësh. Ndoshta frymëzuar nga statujat budiste. Ose ndoshta nga ndonjë kurs online mbi “si të dështosh pa u lodhur”.

Berisha, i cili dikur mbante fjalime që shkundnin sheshet, tani del në ballkonin e selisë dhe flet me zë profetik për “fitore morale”, ndërkohë që selia boshatiset si një stadium pas humbjes 5-0. Ai pretendon se “Rama nuk ka fituar, por sistemi ka humbur”. E pra, kur PD humbet 141 mijë vota dhe Rama 35 mijë, por del me më shumë deputetë, është e qartë që dikush ka dhënë dorëheqjen nga logjika.

Por nuk mbaron këtu. Fitorja e Ramës nuk është e Ramës – është një dhuratë nga Berisha, e paketuar me letër celofani nga Flamur Noka dhe zbukuruar me fjongo blu nga një tufë njerëz që ende besojnë se “Saliu është i vetmi lider opozitar”. Njësoj siç disa njerëz besojnë ende te dinozaurët, horoskopi, ose që trenat do të rikthehen në Shqipëri.

Këtu nuk ka as rritje të PS-së, as revolucion rozë, thjesht PD-ja, si gjithmonë, vendosi të zhduket gradualisht me stil. Në vend që të luftonte për vota, zgjodhi që të vetëdjegë çdo mbështetje që i kishte mbetur, si një aktor që vendos të dalë nga skena duke vënë zjarrin pas kuintave.

Me 141 mijë vota më pak, PD-ja tregoi se është forca e vetme politike që mund të humbasë më shpejt se sa Rama mund të korruptojë një tender. Nga ana tjetër, PS-ja humbi 35 mijë votues – pra një agjenci punësimi më pak – por gjithsesi doli me më shumë deputetë. Si? Sepse, kur tjetri bie në humnerë, edhe një hap prapa duket si përparim.

Të vetmit që nuk e kuptojnë këtë janë shokët e Berishës që ende besojnë se Rama është një lloj Mesie i manipulimit elektoral. “Ai e hipnotizon popullin!”, thonë. Jo, i dashur popull, nuk je i hipnotizuar – thjesht ke mbetur pa alternativë. Kur ke përballë një plak që flet për revolucion me faks, edhe Rama me flamuj plastikë dhe 3D fasada duket si opsioni më i freskët.

Sikur të mos mjaftonte ky absurditet, propaganda berishiste (një përzierje mes Facebook-ut, TV-së së familjes dhe rrjeteve të veteranëve) na shpjegon se Rama nuk është i fortë, por është “kriminel, narkoman dhe manipulues gjenial”. Pra, nëse Rama i ka të gjitha këto cilësi dhe ti përsëri nuk fiton dot as një bashki, ndoshta problemi nuk është te ai, por te ti që nuk je në gjendje të bindësh as kushërinjtë e tu për të të votuar.

Dhe çfarë ndodh me partitë e vogla? Ato që morën 190 mijë vota dhe dolën me më pak deputetë sesa ka një klub i kategorisë së dytë në futboll? Ato u lanë në sistemin tonë zgjedhor si qeset plastike në lumin Lana: të dukshme, të pranishme, por pa asnjë ndikim. Sepse sistemi i ndërtuar nga Rama dhe Berisha është një qokë e dyanshme: “Ti më lë të fitoj, unë të mbaj gjallë si opozitë false”.

Në këtë teatër absurd, shqiptarët janë të detyruar të zgjedhin midis dy aktorëve që nuk e ndryshojnë kurrë skenarin. Njëri flet për “rilindje”, tjetri për “komplot botëror ndaj pluralizmit”. Njëri i premton të rinjve se “do të bëjmë Europën këtu”, tjetri u thotë se “do ta shpëtojë Shqipërinë nga shqiptarët”. Dhe populli? Populli rri dhe sheh telenovelën, nga ballkoni, kafja apo emigracioni. 

Një javë si skenar Giro d’Italia, zgjedhjet dhe Samiti. Këta liderët e BE vijnë këtu dhe se ylli i Samitit ishte ajo logo, që dilte Rama në fushatë elektorale. Sikur jemi partia-shtet, sikur vijnë e takojnë Xi Jin Ping. Rama, duket si partia-shtet që përfaqëson Shqipërinë. Sa më shumë zullume, aq më thellë fiton Rama. BE angazhohet për shtet të së drejtës, e këtu është narko-shtet, duke ngritur kulla e bëjnë sikur nuk i shikojnë. Europa e përdor Shqipërinë për interesa të saj. duhet të çlirohemi nga kompleksi i ndërkombëtarëve” .

E vetmja gjë që ndryshon në këto zgjedhje është numri i votuesve që nuk votojnë. Këtë vit, 205 mijë më pak – njësoj si të zhdukej e gjithë Korça dhe të mos e vërë re askush. E kjo është fitorja më e madhe: Rama fiton kur populli humb durimin, kur opozita humb mendjen, dhe kur askush s’di më se për çfarë votohet.

Por e vërteta është kjo: mrekullia elektorale e Edi Ramës ka një emër të thjeshtë, të pastër, të kalcifikuar në sistemin tonë si gur themeli – berishizmi. Sa kohë që opozita drejtohet nga dikush që mban konferenca shtypi në orën 14:00 për t’u ankuar se po e ndjek FBI-ja dhe pastaj fton qytetarët për protesta që zgjasin më pak se një gotë raki, Rama do të jetë mbret i përjetshëm.

Në fund, shqiptarët u përballën me zgjedhjen më të dhimbshme: të zgjidhnin midis një të kaluare që nuk ikën dhe një të tashme që nuk ndryshon. Dhe zgjodhën të mos zgjedhin fare – sepse, për hir të së vërtetës, pjesëmarrja ra me 205 mijë vetë.

Pra shqiptarët kanë folur qartë: “Na lini rehat, se vota nuk ndryshon asgjë. Ne votojmë vetëm për ‘Big Brother VIP’”.