Rama: Osmani u kërcënua nga Prokuroria e Specializuar, sepse nuk lejoi të bastisej  Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 16 shkurt 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vazhdoi me akuza të rënda ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të hënën në Prishtinë, Rama e cilësoi si “Prokurori idiotësh” Zyrën e Prokurorit të Specializuar, e cila kërkoi që katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasiqi dhe Rexhep Selimi) të dënohet me nga 45 vjet burgim secili, ndërsa prokurorët e kësaj prokurorie i cilësoi si “instrumenta të një gjykate që është edhe më politike se gjykatat e Serbisë”.

Rama tha se, në këtë situatë, Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë bashkërisht diçka më shumë për këtë “katastrofë për Europën dhe për botën demokratike”, por nuk tha se “çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë mund të bëjnë” dy vendet.

“Drejtësia ndërkombëtare, e financuar nga shtetet demokratike, që për turpin e tyre vazhdojnë ta ndjekin me indiferencën më të madhe këtë katastrofë për Europën dhe për botën demokratike, përveçse për katër njerëz krejtësisht të pafajshëm, faktikisht bën që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë. Nuk e kam përgjigjen për këtë, por jam i sigurt se duhet të bëjmë ende më shumë për këtë, sepse është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, për vetë Europën, për Perëndimin demokratik, të cilin Kosova e testoi dhe fatmirësisht Perëndimi, duke e njohur Kosovën, e tejkaloi testin e humanizmit të vet. Po,r nëse sot Perëndimi nuk e kalon këtë tekst dhe merr përsipër varrosjen për së gjalli të katër njerëzve të pafajshëm, duke lënduar si s’ka më keq popullin dhe Republikën e Kosovës, atëherë ky mbetet problem shumë i madh”, tha ai.

Rama tha edhe diçka që ai e cilësoi si “sekret shtetëror” të Kosovës të pazbuluar deri më tash. Ai tha se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ”është kërcënuar” për dy vjet nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, sepse nuk ka lejuar që prokurorët e kësaj prokurorie të kontrollonin edhe zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës në Prishtinë.

“Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua, që Presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot. Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidnetit të Kosovës, se, me demek, do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që, natyrisht, do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet ku deri në Zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit. Dhe kërcënimi i Presidentes ka zgjatur dy vjet. Por, për nderin e saj dhe për nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, tha ai.

Kryeministri Rama i bëri këto komente në ceremoninë e promovimit të librit “Kur heshtja flet” të ish-ambasadorit Ahmet Shala.

(r.m.)