Tiranë, 11 gusht 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka kritikuar përsëri të mërkurën liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor që e kundështrojnë nismën për krjimin e zonës së përbashkët ekonomike “Open Balkan” (Ballkani i hapur).
Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina e kundërshtojnë këtë nismë.
Rama, në një postim në Twitter, i ka paralajmëruar këto vende se kjo nismë do të realizohet, pavarësisht kundërshtimit të tyre.
“… dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes!”, ka theksuar Rama.
Por, ai e ka përmendur në mënyrë specifike vetëm Prishtinën, e cila është kundërshtarja më e fuqishme e nismës së promovuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksdandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe Rama.
Reagimi i Ramës vjen pas deklaratës së qeverisë gjermane se e mbështet nismën për “Open Balkan”.
Postimi i plotë i Ramës:
“ÇUDI”! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor!
Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes!
(r.m.)