Rama për deklaratën e ministres serbe: Kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet

Tiranë, 16 korrik 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është kundërpërgjigjur në kritikat se ai nuk ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila ka thënë se po të kishte pasur mundësi, Kosovën do ta kishte “spastruar etnikisht” në vitin 1998.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka thënë në mënyrë ironike, se nuk ka nevojë që institucionet dhe autoritetet shtetërore të reagojnë për “çdo idiotësi të thënë në serbisht”.

Ai ka thënë se Shqipëria ka reaguar përmes Ministrisë së Jashtme.

“Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, ka shkruar Rama.

Postimi i plotë:

Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!

Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë.

Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës, ndërkohë që po deshe të mbash ijet me dorë duhet edhe të gjesh kohë t’i lexosh🤣

(r.m.)