Rama: Po s’investoi BE-ja në Ballkan, këtë do ta bëjë dikush tjetër

Londër, 26 shkurt 2024 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu drejtua përmes videolidhjes pjesëmarrësve të Samitit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024 që u mbajt të hënën, në selinë e BERZH-it në.

Gjatë fjalimit të tij, Rama u fokusua në nevojën e investimeve të përbashkëta në projektet me karakter rajonal dhe ndërkufitar.

Ai tha se Shqipëria ka bërë ndryshime të konsiderueshme, ndërsa e veçoi zhvillimin e turizmit, duke e cilësuar si ‘histori sukses’ arritjen e 10 milionë turistëve, vitin e kaluar.

“Rajoni po ndryshon, bota po ndryshon, Shqipëria ka ndryshuar. Nga një vend me stigmën e një vendi të pasigurt, në një vend që vitin e kaluar ka arritur një shifër prej 10 milionë turistëve”, tha ai.

Rama foli edhe për investimet në fushën e energjisë dhe për uljen e borxhit publik.

“Dallimi para 10 vitesh është se resurset tona po diversifikohen me energji solare dhe energji të erës. Sistemi ynë, i cili ishte gati për tu shkatërruar për shkak se shumica e popullatës nuk paguante faturën, sot ka një pamje tjetër. Çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar edhe në kohën e krizës, ndërsa borxhi publik ka shkuar në një nivel historik, nën 60%”, u shpreh ai.

Rama theksoi se Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të rajonit, është një destinacion i favorshëm për investime serioze. Duke u përgjigjur në pyetjen përse investitorët europianë duhet të investojnë në Shqipëri, Rama la të kuptohet se Bashkimi Evropian duhet të investojë në rajon, për të parandaluar investimet dhe, përmes tyre, rritjen e ndikimeve në vendet e rajonit.

“Duhet, sepse nëse nuk e bëjnë ata, dikush tjetër do ta bëjë”, u shpreh ai.

Ky është samiti i gjashtë i këtij lloji që BERZH-i zhvillon, dhe Ballkani Perëndimor mbetet një rajon prioritar për BERZH-in.

Organizata e financimit ndërkombëtar është një ndër investitorët më të mëdhenj në vendet e rajonit, me më shumë se 18 miliardë euro të financuara deri më sot.

(r.m.)