Rama: Po të ishte Kosova në “Ballkanin e Hapur”, ngërçi me Serbinë do të zgjidhej që moti

Beograd, 2 shtator 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nëse Kosova do të ishte pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, marrëveshja e arritur me Serbinë për lëvizjen e lirë do të ishte zgjidhur me kohë.

“Unë kam thënë që zgjidhja që iu dha një ngërçi të gjatë dhe të përsëritur, është një zgjidhje e kornizës së ‘Ballkanit të Hapur’ në sensin që ne të gjithë këtu qarkullojmë me karta identiteti. Prej kohësh, sot, ata që lëvizin nga Shqipëria për në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe anasjelltas nuk kanë nevojë fare për pasaporta. Nëse Kosova do të ishte e ulur në tryezën e Ballkanit të Hapur dhe nuk do të refuzonte në mënyrë konstante dhe tërësisht të gabuar për të, kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë”, ka thënë Rama të premten në Beograd, në takimin e liderëve të nismës “Ballkani i Hapur”.

Megjithatë, ai ka thënë se liderët e tri vendeve që i janë bashkuar nismës “Ballkani i Hapur” apo ai personalisht kanë luajtur ndonjë rol në arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, më 27 gusht.

“Nuk thash se këtë e ka zgjidhur kjo treshe as që unë dhe Shqipëria kemi luajtur ndonjë rol’, është shprehur ai.

Rama ka shprehur kënaqësinë që në tryezën e takimit në Beograd ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, duke shtuar se ai e kupton gjuhën e ballkanasve, prandaj ata duhet të “bëjnë kujdes”.

“Jam shumë i lumtur ta shoh përballë ambasadorin Christopher Hill, i cili sikur të gjithë amerikanët e suksesshëm që vijnë në këtë rajon, e di edhe gjuhën e tij edhe gjuhën tonë. Prandaj kur flisni në prani të tyre, bëni kujdes se na kuptojnë jo vetëm anglisht, por edhe kur flasim në gjuhën tonë”, ka thënë Rama.

Rama i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për të zbutur krizën energjetike, duke ia tërhequr vërejtjen që “të mos e përsërisë të njëjtën sjellje” sikurse gjatë pandemisë COVID-19.

“Ne e mbajmë mend mirë se si në fillim të pandemisë vendet e Ballkanit Perëndimor u detyruan t’i drejtoheshin Kinës, Rusisë, Turqisë… sepse Bashkimi Evropian shikonte vetëm veten e vet”, ka thënë Rama.

Në takimin e liderëve të nismës “Ballkani i Hapur” kanë marrë pjesë Presidenti i serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Në cilësinë e mysafirëve kanë marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Të pranishëm ishin edhe ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, dhe ai i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk i janë bashkuar nismës, ndonëse përfaqësuesit e Bosnjës, për herë të dytë po marrin pjesë si të ftuar në takimet e kësaj nisme.

(r.m.)