Rama promovon burimet e naftës të zbuluara në Shqipëri

Tiranë, 23 gusht 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të mërkurën se nafta e zbuluar në Shqipëri është “e një cilësie shumë të lartë, e ngjashme me atë premium të Arabisë Saudite”.

Duke folur në një konferencë për media, më 23 gusht, Rama ka thënë se shpimi ka arritur në 6.000 metra në thellësi të tokës pas një pune 10-vjeçare në zonën e Shpiragut, rreth pesë kilometra larg qytetit të Beratit, në pjesën qendrore të Shqipërisë.

“Rezerva është aty, në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave, si rezultat i formacionit gjeologjik”, ka thënë Rama.

Ai ka theksrar se ende nuk është ndeshur në ujë, çka, sipas tij, do të thotë se sasia e naftës do të jetë e madhe.

“Sipas analizave të bëra në Holandë, nga kompania SHELL, është naftë e së njëjtës cilësi m naftën premuim të Arabisë Saudite”, ka theksuar ai.

Kërkimet për naftë në zonën e Shpiragut, në Berat, po kryhen nga kompania SHELL. Aty pritet të hapen mbi 15 puse.

Kryeministri Rama ka thënë se paralelisht do të bëhen kërkime për naftë edhe në zonën e Dumresë në Divjakë.

Ai ka thënë se investimi i përgjithshëm në rezervat e naftës do të shkojë në shtatë miliardë euro dhe ka parashikuar që ky zbulim të sjellë një “përfitim të madh ekonomik dhe financiar”.

“Kjo pasuri do ketë ndikim te pensionet, sistemin e arsimit, shëndetësisë, mirëqenien e fëmijëve tanë”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se nga fundi i tetorit dhe në fund të dhjetorit do të ketë një rezultat publik nga vetë kompania SHELL në lidhje me krijimin e infrastrukturës për nxjerrjen e naftës. Në momentin që do të nisë prodhimi do të ketë mbi 5 mijë të punësuar, sipas tij.

Edhe pse e pasur me rezerva nafte, Shqipëria nuk ka industri të përpunimit të saj. Nafta që nxirret përpunohet jashtë Shqipërisë dhe më pas importohet dhe shpërndahet në tregun vendas, me një çmim që rezulton të jetë më i shtrenjti në rajon. Aktualisht një litër naftë kushton 190 lekë ose 1.90 euro.

(Jetmira Delia-Kaci, REL)