Rama propozon cikël të ri reformash për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit

Tiranë, 7 maj 2024 – Në Shqipëri shumica socialiste propozoi sot ndërmarrjen e një cikli të ri reformash të thella, të cilat do të duhet të kenë në fokus mirëqeverisjen. Një projekt rezolutë e paraqitur prej tyre parashikon ngritjen e një Komisioni të posaçëm parlamentar, të ngjashëm me atë të reformës në Drejtësi.

Kryeministri Rama foli sot gati dy orë në mbledhjen e grupit të tij parlamentar, së cilës i ishin bashkuar dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, duke vënë theksin te nevoja e përmirësimeve të thella në funksionimin e institucioneve, dhe veçanërisht në krijimin e mekanizmave dhe filtrave për të parandaluar korrupsionin. Një fenomen, i cili sipas tij, vijon të mbetet shqetësues, pavarësisht përpjeejeve të mëdha, siç u shpreh ai, që janë bërë për ta luftuar atë.

Zoti Rama u ndal gjatë, në tezën e përsëritur prej tij, se është falë reformës në Drejtësi, që sot përpara saj po shkojnë zyrtarë të lartë, përfshirë dhe ish ministra e drejtuesë lokalë, përfaqësuesë të partisë së tij.

Duke ritheksuar mbështetjen për punën e Strukturës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, dhe faktin se përgjegjësia e gjithkujt që kryen shkelje është individuale, zoti Rama theksoi se SPAK-u nuk duhet të mbetet si ishulli vetëm ku ndihet fuqia e drejtësisë, por “drita e sundimit të ligjit dhe mirëqeverisjes ku prokuroritë dhe gjykatat e pashkëputur akoma nga errësira e tunelit të së shkuarës, ku institucionet e shtetit janë ende të prekura nga korrupsioni dhe ku lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një luftë e organeve të drejtësisë, është pikërisht shtetbërja e plotë demokratike e Shqipërisë, përmes thellimit të reformave në funksion të mirëqeverisjes, anti korrupsionit dhe sundimit të ligjit”.

Socialistët propozojnë ngritjen e një Komisioni të Posaçëm parlamentar, për të analizuar situatën dhe për të hartuar një Plan kombëtar veprimi, me kohështrirje afatgjatë, i cili të rekomandojë edhe ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale. Komisioni, ngjashëm me atë të Reformës në Drejtësi, gati 10 vite më parë, do të duhet të ketë dhe ekspertë ndërkombëtarë

Kryeministri Rama pati një thirrje të drejtëpërdrjtë për opozitën që së bashku, të krijojnë një hapësirë jashtë territorit të luftës politike “për të adresuar jo dallimet tona të papajtueshme politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtet bërjes europiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re, si dhe identifikuar hapa që duhen marrë dhe masa që duhen ndërmarrë”.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*