Rama reagon ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së

Tiranë, 9 shkurt 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në Hagës që katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të dënohen me nga 45 vjet burgim secili për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Rama, në një postim në platformën X, ka shkruar se ende nuk arrin ta kuptojë fillin e logjikës së prokurorisë për një kërkesë të tillë, të cilën ai e quan “kërkesë për varrosje për së gjalli të katër burrave”.

Rama ka thënë se kjo kërkesë e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar e ka lënë pa fjalë, prandaj i duhet kohë, siç është shprehur, ta gëlltisë “gjithë atë mal me mut që nxorri sot ajo prokurori”

Reagimi i plotë i Ramës:

Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike!

(r.m.)