Rama refuzon interpelancën parlamentare për akuzat publike ndaj vëllait të tij

Tiranë, 3 prill 2024 – Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë e refuzoi kërkesën e opozitës për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama lidhur me akuzat publike se vëllai i tij, Olsi Rama, ishte i përfshirë në trafikun e kokainës në rastin e njohur si “Xibraka”.

Të mërkurën, Rama refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, në interpelancë parlamentare.

Rama u thirr në interpelancë pasi Bardhi publikoi të dhëna që, sipas tij, e përfshinin vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën, në hetimet e kryera për një grup kriminal për trafik dhe përpunim të drogës, të njohur si grupi “Xibraka”.

Bardhi, duke iu referuar dokumenteve të prokurorisë dhe sistemit TIMS, tha se Olsi Rama e ka përdorur të njëjtën makinë me anëtarët e grupit të trafikut të drogës në vitin 2014 dhe kërkoi që SPAK të rihapë hetimet lidhur me rastin. Por, kërkesa e tij për interpelancë urgjente me kryeministrin Rama mbi këtë çështjn u rrëzua nga mazhoranca, pasi vetë Rama, në një postim në platformën X, tha se kërkesa nuk është në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Sipas tij interpelancat bëhen vetëm për “aspekte të rëndësishme” të punës së kryeministrit dhe të ministrave.

“Kështu që nuk është gjëkundi në përputhje as me detyrën, as me shkallën time të tolerancës ndaj ultësisë njerëzore, po as me nivelin minimal të dinjitetit të Kuvendit të ligjvënësve të Shqipërisë…”  shkroi Rama.

Ai i cilësoi “të rreme” akuzat publike ndaj tij, ndërsa pyetjet që iu drejtuan atij i cilësoi “hipoteza haluçinante”.

Në kërkesën për interpelancë, opozita kërkonte përgjigje nëse kryeministri kishte informacione për afërsinë e vëllait të tij me anëtarët e një organizate të strukturuar kriminale.

Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur të mërkurën pa praninë e medias, nuk e futi në rend dite të punimeve këtë kërkesë. Sipas burimeve nga mbledhja, kryetarja e Kuvendit e cilësoi kërkesën jo në përputhje me rregulloren pasi lidhej me “çështje personale”.

Por Bardhi këmbënguli se interpelanca ishte një detyrim kushtetues dhe se nuk mund t’i përcaktojë temat kryeministri. Sipas një zëdhënësi të PD, Bardhi akuzoi Nikollën se e kishte “shndërruar Republikën parlamentare në Republikë kryeministrie”.

Më 28 mars, Bardhi deklaroi përmes një konference se vëllai i Ramës kishte përdorur makinën me targa AA 653DM për të hyrë dhe dalë jashtë vendit – makinë e përdorur edhe nga tre të dënuar për dosjen “Xibraka”.

Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë në qershor, korrik dhe gusht të vitit 2014.

E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014.

Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar është mbyllur më tej.

Në mars të vitit 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka ndarë më vete procedimin për bashkëpunëtorët e paidentifikuar, dosje e cila është pezulluar më pas.

(Sipas: Reporter.al)