Rama u kthye nga Beogradi me dy-tri leksione të mira

 Emin AZEMI

Rama e kuptoi më në fund nga miku i tij Vuçiqi se roli i tij në zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës është zero, sepse Vuçiqi tha se askush tjetër, përpos Serbisë, nuk ka të drejtë të merret me Draft statutin e Asociacionit. Merreni me mend çfarë roli mund të ketë në të ardhmen Rama, nëse guxon ta hapë çështjen e diskrimimit të çdoditshëm të shqiptarëve në jug të Serbisë

 

Edi Rama në Beograd ishte një tjetër. Nuk ishte ai Edi Rama i batutave e “zajebancive”. Miku i tij, Vuçiqi, ia dha një dush të ftohtë në fund të konferencës për shtyp.

“Ne në Serbi kumbarët i zgjedhim vet dhe nuk lejojmë të na i imponojnë të huajt”, ishte kjo replika e Vuçiqit me Ramën, duke ia kundërshtuar këtij të fundit shprehjen “kumbar” që i referohej Sholzit dhe Macronit.

Vuçiqi me këtë rast ia mbajti edhe një leksion të vogël Ramës, duke ia bërë me dije se askush tjetër, pos Serbisë, nuk mund të hartojë Draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçiqi e nxori keq Ramën, përpak sa nuk ela lakuriq…

Kësaj radhe Rama nuk shkëlqeu në Beograd… Shkëlqimi i tij kishte ngelur diku brigjeve të Bjeshkëve të Nemuna….

Llafollogjia dhe batutologjia e tij doli të kenë kenë pasur barotin e lagur kësaj radhe, sepse “mentalni sklopi” i tij përkon me një sindrom që disa politikanë të Tiranës e shfaqin në formë të një kompleksi inferioriteti, të një sjelljeje me edukatë ekstremisht naive ndaj politikanëve serbë.

Një ditë para se ta takonte Ramën, Vuçiqi bëri të ditur se Serbia do të kërkojë organizimin e një sesioni urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Në Kosovë po kryhet një aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik të serbëve, i cili është mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Ne duam të veprojmë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare. Duke pasur parasysh se jeta e serbëve në Kosovë po kërcënohet, ne do të kërkojmë një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por fillimisht do të kërkojë një bisedë urgjente me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, për të treguar situatën”, tha Vuçiqi.

Manovrimet e Vuçiqit janë të njohura tashmë. Para se të ndërmarrë ndonjë aksion të çmednur, ai gjithmonë vishet me rrobat e viktimës, duke i përdour “vuajtjet” e serbëve në Kosovë si pretekst për ndaluar të gjitha eksportet e municioneve.

“Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë, por është e gatshme të shpëtojë jetën e njerëzve të saj. Po e shqyrtojmë mundësinë e nënshkrimit të një vendimi për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si edhe të çdo arme, sepse interesi jetik kombëtar i Serbisë është i kërcënuar”, tha Vuçiqi.

Ai tha gjithashtu se Serbia do ta shqyrtojë kërkesën e Listës Serbe që njësia speciale e Policisë së Kosovës të shpallet organizatë terroriste.

Për dallim nga qëndrimi denigrues i Ramës kundrejt Kurtit, Vuçiqi ka një qëndrim krejt tjetër ndaj Listës Serbe, duke e përdorur këtë të fundit si instrument të politikave të tij hegjemoniste. Idetë e tij acaruese mbi Kosovën, Vuçiqi i transmeton përmes lehtësisht përmes Listës Serbe, kurse Rama i deformon idetë i Kurtit, duke i përdorur ato si shantazh në koluaret e qendrave politike ndërkombëtare, ku, siç po spekulohet, po përgatitet edhe shpallja “non grata” e kryeminstrit të Kosovës.

Rama e ka kritikuar hapur Kurtin për qëndrimet politike të tij për situatën në veri të Kosovës, duke e luajtur madje edhe rolin e ndërkombëtarit, një detyrë që askush s’ia kishte dhënë.

Por, pas përplasjes me Vuçiqin, në Beograd, ai do të duhej të nxirrte të paktën dy mësime:

– e para, të kuptojë më në fund nga miku i tij, Vuçiqi se roli i tij në zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës është zero… sepse Vuçiqi tha se askush tjetër, përpos Serbisë, nuk ka të drejtë të merret me Draft statutin e Asociacionit…. Merreni me mend çfarë roli mund të ketë në të ardhmen Rama, nësedo të guxojë ta hapë çështjen e diskrimimit të çdoditshëm të shqiptarëve në jug të Serbisë….

– e dyta, kjo qasje vardisëse e Ramës ndaj diplomatëve joparimorë të Perëndimit sa i përket çështjes së Kosovës, nuk gjeti mirëkuptim në Beograd, sepse Vuçiqi ia bëri të qartë se Serbia “i zgjedh vet kumbarët”, që i bie se ai nuk pranon imponim kumbarësh, siç e tha edhe vet, apo më troç, Vuçiqi ia bëri me dije Ramës se nuk i pranon diktatet e diplomatëve të huaj sa i përket Kosovës….

Rama vërtet nuk u prit nga Kurti në Prishtinë, por darka në Beograd, e shtruar nga “pobratimi” i tij pasi i mori disa “shqelma”, do të duhej t’i shërbente atij si apoteozë ku thyhen shtizat parimore e shtetërore, etike e patriotike në mes të Tiranës dhe Beogradit mbi Kosovën.

Darka e Beogradit pati një shije tjetër kësaj radhe, e pati shijen e një kumbarllëku të shpifur, ku rregullat e buzëqeshjes i cakton i zoti i shtëpisë, kurse vajin në buzë e mban peshqesh ai që nuk i njeh mirë serbët.

 

Shkup, 8 korrik, 2023