Tiranë, 29 shtator 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përshëndetur thirrjen e Uashintonit që Serbia të tërheqë forcat ushtarake të grumbulluara në zonën kufitare me Kosovën dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve.
Rama u ka bërë thirrje udhëheqjeve Kosovës dhe të Serbisë “që të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi”
“Shqipëria i bashkohet thirrjes së Qeverisë së SHBA-së për de-eskalim të menjëhershëm në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. I bëj thirrje lidershipit të Kosovës dhe të Serbisë që të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi. Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, ka shkruar Rama në një postim në platformën “X”.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha të premten se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh të ushtrisë së Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, përfshirë artileri të avancuar, tanke dhe njësi të mekanizuara. Ai e quajti këtë si “zhvillim të pashembullt” dhe “shumë destabilizues”.
“I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes”, theksoi Kirby.
(r.m.)