Shkup, 22 nëntor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përsëriti edhe një herë nevojën për shtimin e forcave të NATO-s në Kosovë.
Në një konferencë për shtyp në Shkup, ku i pranishëm ishte edhe kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, Rama theksoi se rasti i Banjskës nxori në pah rrezikun e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të konfliktit në rajon.
“Jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrje të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme jo vetëm vëmendjen, por dhe trupat që duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet”, u shpreh ai.
Duhet të parandalohet me çdo kusht që kjo të mos përsëritet. Për këtë arsye, edhe sot në takim e theksova domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të drogës, aktivitete të cilat pastaj ngatërrohen, siç e dimë të gjithë, edhe me aktivitetin politik me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda si ai i Banjskës, ku humbi jetën një punonjës i policisë së Kosovës dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti që ka vetëm një vend për t’u trajtuar në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar në BE mes Kosovës dhe Serbisë.”, theksoi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë tha se Kosova duhet të ndihmohet të përshpejtojë procesin e integrimit në NATO. Ai e falënderoi Presidentin e Kroacisë që në mënyrë të përsëritur i ka bërë jehonë këtij opinioni në të gjitha tryezat e NATO-s.
Rama shpëhu keqardhje që ende ka vende që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosocës, ndërsa orientimi euro-atlantik i Kosovës është i padiskutueshëm.
“Ndërsa hezitimet për ta njohur Kosovën nga vende të Bashkimit Evropian dhe vendet e NATO-s janë jehonë e një të shkuare që është gjithmonë e më pak relevante në krahasim me të tashmen që sjellë sfida të reja dhe kërkon më shumë unitet dhe shumë më të tepër vështrim strategjik”, tha ai.
Rama tha se ai ka propozuar organizimin e një samiti të NATO-s me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku të jenë të pranishme jo vetëm vendet anëtare të NATO-s, por dhe vendet partnere të NATO-s dhe vendet tjera të rajonit dhe vendet tjera anëtare të NATO-s në kufi me vendet e rajonit që kanë interes të drejtpërdrejtë për stabilitet në rajon