Prishtinë, 10 qershor 2024 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka lartësuar figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për nder të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, Rama ka thënë se Ibrahim Rugova – ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike – ishte një shqiptar si “i dalë nga brinjët malore të historisë sonë”.
“Ai ishte një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhës romantike, një politikanë si i rrahur me vajin dhe uthullën e odës patriarkale, një figurë që edhe sot është vështirë ta përmbledhës”, ka thënë ai.
Rama ka thënë se pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës.
“Në përvojën e tij që e krijonte përmes adresimeve të shumta lind edhe një trashëgimi e vyer për brezat e ardhshëm dhe pikërisht nga këmbëngulja gërryese e përroit që rrodhi urtësisht u bë e mundur edhe hapja e shtratit ku mori jetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe sot është e qartë se pa Ibrahim Rugovën kurrë nuk do të kishte pasur UÇK”, është shprehur Rama.
Ai ka theksuar se “pa luftën që Rugova e kishte nisur në paqe nuk do të ishte arritur kurrë paqja e fituar në luftë”.
“Pa politikën e Rugovës afruese me aleatët nuk do të jehonin as armët e ushtarëve të UÇK-së bashkë me bombardimet e NATO-s mbi Beograd”, ka theksuar Rama.
Kryeministri i Shqipërisë ka theksuar se si Rugova s’ka politikan tjetër shqiptar.
“Ai ishte dhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë, i pa përsëritshëm, i paimitueshëm dhe i pashpjegueshëm deri në fund, për mënyrën se si arriti tua impononte njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm teksa e formon shtratin e vet”, ka thënë ai.
Rama ka thënë se Rugova “besoi verbërisht tek aleancat dhe aleatët”.
“Rugova i la trashëgimi Kosovës aleancën me ndërkombëtarët, si pasuri natyrore që vendi i tij nuk e kishte”, ka thënë ai.
“Presidenti Rugova ishte president i shpresës, në mes shtypjes së shpresës. Ishte lider i pazakonshëm në Ballkan. Rugova ishte i vetmi në këtë vend që e kishte kuptuar se konflikti nuk është rruga për drejtësi afatgjatë”, ka theksuar Kryeministri i Shqipërisë.
(Citatet janë marrë nga Telegrafi)