Ndërsa në Gjykatën Kushtetuese zhvillohej seanca për shqyrtimin e padisë së shoqatave të gjyqtarëve që kërkojnë rishikimin e mënyrës se si u llogaritet paga, kryeministri Edi Rama e akuzoi rëndë gjykatën, duke e cilësuar si “farsë” procesin gjyqësor dhe si “kërcënim për hierarkinë e shtetit” kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash.
Kryeministri Edi Rama lëshoi të martën një batare akuzash ndaj gjyqtarëve, duke përdorur terma si “marrëbabëzi”, “skandal” dhe “turp kombëtar”, në një përpjekje të dukshme për të diktuar vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e dy shoqatave për të shpallur antikushtetues nene të ligjit që lidh pagën e magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës.
Në momentin që Gjykata po zhvillonte seancën, e cila nuk u transmetua për publikun për shkak të “defekteve teknike”, Rama ndërhyri publikisht duke sulmuar legjitimitetin e kërkesës.
“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq”, shkroi kryeministri në X.
Rama pretendoi se gjyqtarët janë tashmë kategoria më e paguar në vend falë mbështetjes së mazhorancës për Reformën në Drejtësi, po tentojnë të uzurpojnë kompetencat e parlamentit dhe qeverisë për të “thyer piramidën shtetërore të pagave”.
“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën,” deklaroi Rama, duke e cilësuar kërkesën e shoqatave si një “skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues”.
Padia në Kushtetuese është kundër një ligji të miratuar në vitin 2023 nga Kuvendi për caktimin e pagës referencë për magjistratët. Ligji e lidhi pagën e magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës. Ky ndryshim solli rritje të pagave të magjistratëve në atë kohë, siç parashikohej në ligjet për reformën në drejtësi. Në të njëjtën kohë u miratuan edhe ndryshimet në pagat e administratës civile, të cilat u rritën disa herë.
Gjyqtarët, paga referuese e të cilëve lidhej tani me atë të presidentit, nuk përfituan nga kjo rritje pagash. Për Unionin e Gjyqtarëve, këto ndryshime bien ndesh me nenin 138 të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese që u mblodh të martën në seancë, nuk ka dalë ende me një vendim në lidhje me çështjen çka e bën sulmin e kryeministrit të lexohest si një përpjekje për të diktuar gjykatën.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri targeton gjyqtarët në lidhje me padinë për pagat dhe synon t’i imponohet Kushtetueses. Duke e paracaktuar çdo vendim në favor të gjyqtarëve si një “turp kombëtar”, Rama praktikisht e vendos gjykatën nën presion politik.
Në retorikën e tij, Rama përdori edhe strategjinë e përçarjes brenda sistemit të drejtësisë. Ai u kujdes të veçonte dhe të lavdëronte Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për mospjesëmarrje në këtë padi, duke e përdorur këtë si argument për të delegjitimuar kërkesat e pjesës tjetër të korpusit gjyqësor. “Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie,” theksoi Rama.
Sulmi i rradhës, pas një serie të ngjashme herë për individë, herë për institucione dhe herë të tjera mbi të gjithë trupën e magjistratëve, vjen pak ditë para se Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën e Ramës mbi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në të njëjtën kohë shumica e kontrolluar nga Rama mban në sirtarë një kërkesë të dytë të SPAK për imunitetin e Ballukut duke e lidhur atë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese pavarësisht se kërkesat janë të ndryshme.