Rama tha se vendimin për pezullimin e Ballukut do ta apelojë në Gjykatën Kushtetuese

Tiranë, 21 nëntor 2025 – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e sulmoi SPAK-un dhe paralajmëroi se mazhoranca do ta apelojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës.

Në një konferencë për shtyp me Komisioneren e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, Rama sulmoi SPAK-un dhe GJKKO-n, duke i cilësuar si institucione ‘fëmijënore’, të cilat, sipas tij, kanë shfaqur reflekse të vjetra antidemokratike. Ai tha se vendimi që e pezullon Belinda Ballukun nga detyra ka kosto për vendin dhe është “një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësine pushtetit ekzekutiv”.

“Pezullimi nga detyra i një ministri, në këtë rast edhe zëvendëskryeministër, pra drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e qeverisë në mungesë të kryeministrit, është shfaqje e dobësive të një pushteti krejt të ri dhe e reflekseve anti-demokratike,” tha Rama, citon Reporter.

Rama tha se ky ishte “një rast unik në historinë e Europës dhe se gjykata dhe prokuroria kishin marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit, duke cenuar pavarësinë e një pushteti tjetër.

Ai tha se do ta respektojë vendimin për pezullimit të Ballukut, por këtë vendim do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë, vetëm tek drejtësia në Gjykatën Kushtetuese,” tha Rama.

“Nuk jemi në kushtet kur, duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë,” shtoi ai.

Megjithatë, Rama tha se ministren Balluku nuk do ta zëvendësojë deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendëskryeministër dhe nuk ka asnjë ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë që funksionon,” përfundoi ai.

Gjykata e Posaçme vendosi të enjten ta pezullojë Ballukun nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe ta ndalojë udhëtimin e saj jashtë vendit, duke ia bllokuar pasaportën.

Belinda Balluku u mor e pandehur dy javë më parë me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Ajo akuzohet se i ka manipuluar dy tendera me vlerë prej 210 milionë eurosh, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke i favorizuar kompanitë fituese.

Balluku është pjesë e kabinetit qeveritar të Edi Ramës prej vitit 2019, si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ajo është g zyrtarja më e lartë e shtetit në Shqipëri që përballet aktualisht me akuza për vepra penale nga SPAK. Disa bashkëpunëtorësh të ngushtë të kryeministrit Rama i kanë humbur postet e tyre për shkak të hetimeve të SPAK. Ndër të tjerë, SPAK ka ngritur aktakuzë edhe kundër ish-zëvendës-kryeministrit Arben Ahmetaj, Kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe  ish-ministrit të  Brendshëm, Saimir Tahiri.

(r.m.)