Rama: Turp për drejtësinë ndërkombëtare dhe për shqipsharësit digjitalë që Thaçin e shohin si armik politik edhe mbrapa hekurave

Tiranë, 28 tetor 2025 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si të tmerrshme faktin që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë nën akuzën për krime lufte, edhe pesë vjet pas arrestimit.

“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!” ka shkruar Rama në Facebook.

Rama është marrë edhe me komentet e lexuesve që, sipas tij, “urojnë që Thaçi të mos dalë kurrë nga burgu”. Ai i ka cilësuar ata “shqipsharës digjitalë” dhe “tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike”.

“Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e  urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

Rama e ka shoqëruar postimin me një fotografi të Thaçit me ish-gjeneralin amerikan Wesley Clark.

 Ish-Komandanti Suprem i NATO-s, gjenerali në pension Wesley Clark, do të jetë dëshmitar i mbrojtjes së Thaçit në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

(r.m.)