Rama: Në Ballkanin e Hapur, Kosova do të ulet me të drejta të barabarta

Në një intervistë në emisionin ‘Kjo javë’ me Nisida Tufën në News24, Rama tha se kjo nismë është jo vetëm një domosdoshmëri, por është edhe një qasje në funksion të çlirimit të shumë potencialeve të ndrydhura të këtij rajoni dhe të lehtësimit dhe dialogut dhe të lehtësimit të rrugës të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës po ashtu.

Ndër të tjera Rama komentoi edhe deklaratat e Albin Kurtit, për mungesën në këtë takim duke e quajtur Open Balkan një nismë pa vizion.

‘Nuk dua të hyj në polemika me Albinin. Albini ka vizionin e vet. Unë dua më të mirën për Kosovën dhe nuk mund të rri pa e thënë që qasja e derisotme është nje qasje e destinuar të dështojë dhe është një qasje që nuk e çon Kosovën asgjëkundi, përkundrazi prej disa vitesh e ka kthyer Kosovën nga një forcë shumë pozitive dhe nga një partner shumë i besueshëm dhe shumë i dëshiruar i aleatëve të shqiptarëve, në një problem të tyre. Dhe kjo nuk është gjë pozitive.’- u shpreh Rama.

Në intervistë kryeministri Rama rrëfeu edhe bisedat me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç lidhur me aderimin e Kosovës në ‘Open Balkan’.

Rama tha se Vuçiç për herë të parë e nënvizoi publikisht që Kosova është e ftuar dhe është e mirëpritur të ulet në tryezë. Rama u shpreh se Kosova do të ulet me të drejta të barabarta dhe ku askush nuk do t’i imponohet askujt për asgjë dhe secili bën atë që do.

Ndër të tjera Rama u shpreh tryeza e Ballkanit të Hapur nuk është si tryeza e procesit të Berlinit, as si tryeza e Këshillit Europian ku po nuk deshi njëri, të tjerët duhet të rrijnë të ngrirë apo duhet të presin derisa të shkrijë ai që nuk do.

Pjesë nga intervista:

 

Me çfarë përshtypjesh ktheheni nga Beogradi?

 

Besoj që ishte takimi më produktiv që kemi pasur sepse u përqëndrua i tëri tek çështjet konkrete të njerëzve, të kompanive, të distributorëve të eksportuesve, dhe zhvilluam një bisedë shumë interesante, shumë të hapur me dyer të mbyllura me përfaqësitë e kompanive nga të treja vendet që kanë marrëdhënie biznesi të lidhura me kufijtë mes këtyre vendeve. Faktikisht është për të ardhur keq se sa shumë kohë është humbur dhe se çfarë kosto kanë pasur të gjithë njerëzit që e kanë punën të lidhur me ndërveprimin që kalon përmes këtyre kufijve. Por ajo që është më e rëndësishmja është që tanimë kemi ngritur një këshill për zbatimin e marrëveshjeve të përqëndruar tek lehtësimi i lëvizjes së mallrave, të shërbimeve, të kapitaleve dhe natyrisht pastaj liria e lëvizjes së njerëzve është diçka më e lehtë sepse tashmë është në proces dhe është e garantuar.

Pse mendoni se vendi më ngurrues është Kosova? Një nismë pa vision e quan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti?

Mendoj që ka nga ana e Kosovës ose më saktë nga ana e politikbërësve dhe vendimmarrësve në Kosovë një qasje e cila është thelbësisht e ndryshme dhe është e drejta e tyre, nuk diskutohet por nga ana tjetër unë kam bindjen që kjo nismë është jo vetëm një domosdoshmëri por është edhe një qasje në funksion të çlirimit të shumë potencialeve të ndrydhura të këtij rajoni dhe të lehtësimit dhe dialogut dhe të lehtësimit të rrugës të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës po ashtu. Nuk dua të hyj në polemika me Albinin. Albini ka vizionin e vet. Unë dua më të mirën për Kosovën dhe nuk mund të rri pa e thënë që qasja e derisotme është nje qasje e destinuar të dështojë dhe është një qasje që nuk e çon Kosovën asgjëkundi, përkundrazi prej disa vitesh e ka kthyer Kosovën nga një forcë shumë positive dhe nga një partner shumë i besueshëm dhe shumë i dëshiruar i aleatëve të shqiptarëve, në një problem të tyre. Dhe kjo nuk është gjë positive.

Ju thoni se keni idenë tuaj për Ballkanin e hapur, por si ju duket ideja e Kurtit per rimodelimin e CEFTA ne SEFTA sipas modelit EEA (vende nordike plus BE)?

Kosova është sot një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran që ka problemin e hapur të domosdoshmërisë për t’u njohur nga të gjithë dhe për t’u ulur me të drejta të plota në kombet e bashkuara dhe në të gjitha instancat e tjera dhe që ka të gjithë autoritetin e nevojshëm demokratik për të marrë vendime për veten, por që nuk është në pozicionin që të harrojë se nga vjen, nuk është në pozicionin se është si rezultat i një lufte çlirimtare të mbështetur fuqimisht nga fuqitë e mëdha mike të shqiptarëve dhe nuk është në pozicionin që të marri rrugë të reja pa u konsultuar me askënd dhe për më tepër rrugë të reja që askush nuk i mbështet siç është edhe në rastin konkret. Ne nuk kemi fuqi të ndryshojmë mënyrën si funksionon bota, ne nuk kemi fuqi për të marrë vendime për të mëdhenjtë e kësaj bote. Ne kemi vetëm mundësinë të shfrytëzojmë fuqinë tonë për të marrë vendimet e duhura për vete, pa harruar që nuk jemi vetëm por që kemi të tjerë me të cilët duhet të konsultohemi dhe këto janë aleatët tanë strategjik. Kështu që këto janë ide që absolutisht janë legjitime, mund të diskutohen, por që janë humbje kohe përsa kohë askush nuk i sheh me interes në tryezat ku merren vendime, që do të thotë në Bruksel, Berlin, Paris, Washington. Kështu që për çfarë duhet ta humbasim kohën. Dhe sigurisht që gjithkush është në të drejtën e tij të përdorë fuqinë që i ka dhënë populli siç e mendon, por unë nuk mendoj që fuqia nga populli mund të përdoret për të hyrë në rrugë ku je vetëm.

 

Çfarë diskutoni me Vuçiç për Kosovën, përtej asaj që ne shohim në konferencë për shtyp?

Për herë të parë ai e nënvizoi publikisht që Kosova është e ftuar dhe është e mirëpritur të ulet në tryezë. Kështu që në këtë aspekt nisma është e qartë qysh në krye të herës që normalisht ishte gati për të filluar më përpara por që unë asnjëherë nuk e kam rënë dakord që nisma të fillojë pa marrë dakordësinë e plotë dhe të qartë nga ana e presidentit të Serbisë që kjo është një nismë gjithpërfshirëse ku Kosova do të ulet me të drejta të barabarta dhe ku askush nuk do t’i imponohet askujt për asgjë dhe secili bën atë që do.

Nëse Kosova hyn në ‘Open Balkan”, vendimet si do t’i merrni? Me veto?

Jo nuk ka nevojë për veto. Tryeza e Ballkanit të Hapur nuk është si tryeza e procesit të Berlinit, as si tryeza e Këshillit Europian ku po nuk deshi njëri, të tjerët duhet të rrijnë të ngrirë apo duhet të presin derisa të shkrijë ai që nuk do. Është një tryezë e hapur, principet janë aty dhe është një njësi zbatimi e procesit të Berlinit. Pra të thuash që unë e dua Procesin e Berlinit por që Ballkani hapur është një nismë pa vizion, është të mos kuptosh procesin e Berlinit ose të bësh sikur mos kuptosh Ballkanin e Hapur.

A do e pranonte Vuçiç të ishte flamuri i Kosovës në tryezë?

Flamujt nuk mund të jenë pengesë sepse ne kemi bërë takime me praninë e të gjithëve, kudo. Kemi bërë takime në Bruksel, ku janë ulur të gjithë bashkë, edhe Serbia edhe Kosova. Kemi bërë takime edhe në Washington ku janë ulur të gjithë bashkë. Dhe meqë kam parë që kanë qënë disa të shqetësuar se si ka mundësi që të haet darke me këta…ju them se darka kanë ngrënë të gjithë me këta dhe me ata. Pra nuk është hera e parë, dhe ne nuk jetojmë në një vend siç është bota e sotme ku diskutimi bëhet: a ha darkë a s’ha darkë sepse rëndësi ka çfarë thuhet dhe debatohet e diskutohet aq më tepër pastaj që nëse I referohemi historisë, nëse I referohemi situatave të ngjashme…nuk na jep historia ne ndonjë rast kur konfliktet e trashëguara nga një luftë si ajo luftë e përgjakshme prej së cilës doli Ballkani, prej së cilës doli edhe Kosova, të jenë zgjidhur duke I qëndruar me kurriz njëri-tjetrit. Kur u bë marrëveshja historike mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe kur Isakra Bini dhe Jaser Arafat, dy armiq të egër të njëri-tjetrit për nuk e di sesa dekada dhe patjetër me shumë histori gjaku në kurriz, qëndruan për ditë të tëra duke ngrënë dreka e darka dhe duke gatuar për njëri-tjetrin madje derisa arritën në një zgjidhje. Kështu që këto janë mënyra për t’iu shmangur thelbit. Dhe thelbi është që ne duam ta çojmë përpara çështjen e shqiptarëve duke çuar përpara rrugën drejt të  ardhmes. Rruga drejt të ardhmes nuk është duke i qëndruar me kurriz nga e ardhmja, por është rruga e shikimit në sy të së ardhmes duke mos e harruar asnjëherë të kaluarën.

A do ta institucionalizoni Open Balkan sipas stilit te BE? Dmth do te ketë traktat themelues? Seli?

Nuk është e nevojshme kjo sepse ne mendojmë që Ballkani i Hapur është një vision, që është vizioni i Procesit të Berlinit dhe njëkohësisht është edhe një njësi zbatimi e projektit të procesit të Berlinit që ka mbetur në letër për shumë vite pikërisht sepse s’ka pasur kontinuitet të përditshëm, të përjavshëm, të përmuajshëm dhe arsyeja pse ne po takohemi në mënyrë periodike është pikërisht që t’i japim kontinuitet procesit të Berlinit dhe ta bëjmë atë të zbatueshëm. Dhe ne mjafton që të zbatojmë ato objektiva që janë vendosur duke patur parasysh nevojën për të jetësuar katër liritë e Bashkimit Europian ne Ballkan dhe e kemi kryer punën. Nuk është se jemi duke synuar krijimin e një entiteti siç është Bashkimi Europian. Ne jemi vende që duam të hyjmë në Bashkimin Europian dhe nuk duam të krijojmë një entitet parallel me të. Ne jemi entitete të pavarura që kanë nevojë të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në funksion të jetës ekonomike dhe sociale të vendeve të tyre. S’ka nevojë për të patur një entitet në formën e njëtraktati.

Nëse anëtarësohemi në BE a do të ketë më ‘Open Balkan’?

Po i gjithë Bashkimi Europian është një “Open Space”, kështu që nëse ne anëtarësohemi në BE nuk kemi nevojë më për të patur Open Balkan sepse do të jetë gjë e realizuar, pra Ballkani do të jetë i hapur.

Përsa i takon marrëveshjeve që do të firmosen do të kalojnë ato në Parlament?

Nuk janë marrëveshje të natyrës së traktateve, por janë marrëveshje të natyrës administrative. Që do të thotë: në rast se ne marrim vendimin që të njohim reciprokisht dokumentat që lëshojnë autoritetet e ndryshme, agjencitë e ndryshme për eksportuesit, kjo është një marrëveshje ndërqeveritare dhe nuk është një marrëveshje që kërkon ndërhyrjen e parlamentit. Në rast se bëhet fjalë për ligje që kanë nevoje të ndryshojnë për shak të lejeve të punës, ne nuk kemi, por për shembull Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë duke ndryshuar ligjin për ta bërë me të lehtë dhënien e lejeve të punës.

A mendoni se ka shance të bëhet pjesë Kosova me Kurtin kryeministër në Open Balkan?

Nuk është çështje personash, unë kam respekt për Albin Kurtin. Ne mendojmë ndryshe por unë e respektoj Albin Kurtin për shumë arsye dhe natyrisht fakti që Albin Kurti mendon ndryshe nga unë, nuk e bën Albin Kurtin më pak të respektueshëm. Ai mendon ndryshe, në këndvështrimin tim mendon gabim për këtë, por është e drejta e tij të gabojë sepse ka marrë mandate edhe për të patur të drejtën të gabojë. Unë nuk e lidh këtë me persona, por unë di këtë që nuk ka asnjë rrugë tjetër për vendet e rajonit për t’u përfshirë në këtë nismë në rast se janë të sinqertë kur thonë se ne përkrahim Procesin e Berlinit. Ky është procesi i Berlinit. Nuk ka proces tjetër. Është një proces ku bëhet një samit i përvitshëm, vendosen disa objektiva dhe detyra dhe këto detyra duhen zbatuar. Dhe mbetën pa zbatuar sepse vendet rrinin e prisnin kur do na mbledhin prapë, ata atje, vitin tjetër. Ndërkohë që midis dy samiteve ka një punë për të bërë dhe Open Balkan është të bëjmë punën për të cilën biem dakord në Procesin e Berlinit. Nëse Albin Kurti apo kryeministri i Malit të Zi apo ata të Bosnjes të më tregojnë një pikë, një, që është në Ballkanin e Hapur dhe nuk është në Procesin e Berlinit atëherë unë jam gati ta rishikoj të gjithën. Por nuk e gjejnë dot. S’ka asnjë.

(BalkanWeb)