Nga Sadik Elshani
U bë një javë që u nda para kohe nga kjo botë Ramush Tahiri, politogu, gazetari, këshilltari politik, por mbi të gjitha, njeriui i urtë i Kosovës,shoku ynë i dashur. Një humbje e madhe për familjen, neve shokët dhe gjithë Kosovën e tërë shqiptarinë. Dhimbja është e madhe dhe në këto çaste të rënda gjejmë ngushëllim te kohët e lumtura të jetës sonë, kujtime nga ditët tona studentore në Zagreb – kohë kur kishim shumë energji rinore e shumë ëndrra për të ardhmen tonë, të ardhmen e Kosovës dhe të kombit tonë. Shiriti i kujtimeve të regjistruara në kujtesën tonë këto ditë dhimbjeje vetëm lëviz, nuk ndalet fare dhe më shpie te shtatori i vitit 1977 kur për herë të parë e takova Ramushin.
Vitin e parë dhe një pjesë të vitit të dytë e kam kryer në Universitetin e Beogradit dhe në shtator të vitit 1977 kam kaluar në Universitetin e Zagrebit. Meqenëse konviktet ende nuk ishin ndarë, unë për disa ditë qëndrova së bashku me bashkëvendësit e mi, Isuf Buzhala dhe Rizah Vata, në dhomën e tyre studentore në konviktin “Cvjetno Naselje”. Pas disa ditësh në dhomën e tyre për vizitë erdhen edhe disa studentë, ndër ta edhe Ramushi, të cilin kurrë nuk e kisha takuar më parë, por emrin ia kisha dëgjuar ato ditë, sepse ai atë vit ishte kryetar i klubit të studentëve shqiptarë, “Shkëndia”. Që në çastet e para të bisedës sonë më la përshtypjen e një njeriu të sinqertë, serioz e shumë të përzemërt. Meqenëse gjatë viteve të gjimnazit dhe gjatë studimeve në Beograd si anëtar i kryesisë se Shoqatës – Letrare Muzikore “Përpjkekja”isha i angazhuar në organizimin e shumë veprimtarive letraro – artistike, edhe në Zagreb u angazhova në organizimin e shumë veprimtarive të tilla së bashku me Ramushin dhe një grup veprimtarësh të klubit “Shkëndia”. Miqësia jonë sa vinte e forcohej çdo ditë e më tepër. Fal pikëpamjeve tona të ngjashme, gati identike, për çështje të ndryshme dhe respektit të ndërsjell, miqësia jonë ishte e sinqertë dhe e qëndrueshme. Për një kohë kemi banuar edhe në të njejtën banesë. Edhe pas përfundimit të studimeve tona vazhdimisht kemi qenë në kontakt, herën e fundit kemi kontaktuar më 1 gusht, përmes “messenger”-it.Ramushi kishte një karakter të fortë burrëror, i ndershëm, i sinqertë, i matur dhe i mirësjellshëm me të gjithë studentët. Prandaj, edhe e gëzonte respektin e të gjithëve. Që në atë kohë ishte një personalitet që me zgjuarësinë, maturinë e tij projektonte largpamësi si një njohës i shkëlqyer i historisë, traditive dhe zakoneve tona shqiptare. Njeri nga i cili pritej që në të ardhmen të luajë një rol të rëndësishëm në rrjedhat e ngjarjeve për të përparuar pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Vazhdimisht intersohej për t’i zgjeruar njohuritë e tij, duke kaluar kohë të gjata nëpër biblioteka, librari e antikvariate, duke kërkuar materiale që lidheshin me historinë e shqiptarëvë, gjendjen e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Isha me Ramushin në një librari kur në një revistë shkencore që botohej nga Instituti i Historisë së Kroacisë, “Časopis za suvremenu povijest” (“Revista për historinë bashkëkohore”) e hasëm “Elaboratin e Ivo Andriqit për Shqipërinë”, i vitit 1939, botuar në vitin 1977 nga historiani kroat, Bogdan Krizman (1913 – 1994). Ky ishte një projekt për zhdukjen, shpërnguljen, asimilimin e shqiptarëve, për përvetësimin e pronave të tyre… Menjëherë i blemë disa kopje dhe ua dërguam njerëzve të njohur në Prishtinë. Po ashtu, u treguam edhe shokëve të tjerë dhe i nxitëm që edhe ata ta shpërndanin këtë revistë. Për një kohë të shkurtër ky Elaborat u bë i njohur për shumë shqiptarë, përfshirë edhe shumë studiues që merreshin me këtë lami. Ramushi nuk mësonte, studionte vetëm për ta dhënë një provim, por ai studionte për t’u përgatitur për provimin jetësor, për t’i zbatuar një ditë në jetë këto njohuri, për t’i dalë zot popullit të vet. Punimi i tij i diplomës për pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi (Jugosllavinë në mes të dy Lufërave Botërore dha atë të pas Luftës së Dytë Botërore) është një punim shumë serioz i punuar me shumë përkushtim, duke shfrytëzuar një literaturë të begatë, dokumente e botime të shumta origjinale. Ky punim diplome do të pranohej si një disertacion në shumë universitete prestigjioze botërore.
Pas diplomimit Ramushi u punësua si gazetar në “Rilindje”, gazetën e vetme të përditshme në Kosovë, ku shquhet për artikujt e tij të guximshëm, duke trajtuar tema të ndieshme për atë kohë. Kur në korrik të vitit 1990 forcat policore serbe e mbyllën “Rilindjen”, ishte Ramushi që u ballafaqua me zyrtarin serb që kishte ardhur për ta mbyllur gazetën. Pak më vonë Ramushi u zgjodh nënkryetar i Qeverisë së Kosovës në Ekzil. Për disa vite punoi në Shkup dhe pastaj u vendos në Tiranë, ku punoi si redaktor i “Rilindjes”. Pas çlirimit të Kosovës Ramushi punoi në Kuvendin e Kosovës si këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit, prof. dr. Nexhat Dacit. Një kohë ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa nga viti 2011 gjer në vitin 2016 ka qenë këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Vite më parë e dëgjova Ramushin në një intervistë televizive, ku tregoi se zonja Jahjaga do ta pranonte detyrën vetëm nëse Ramushi pranonte të jetë këshilltari i saj. Deri në çastet e fundit të jetës së tij ka qenë i angazhuar si analist politik në disa studio televizive, ka dhënë mjaft analiza e intervista edhe për shumë agjenci të huaja të lajmeve.
Si kryetar i klubit të studentëve shqiptarë, “Shkëndia”, por edhe gjatë të gjitha viteve si student, Ramushi demonstronte aftësi shembullore të një udhëheqësi të ardhshëm të shqiptarëve. Kishte aftësi për t’i bërë së bashku studentët, fjala e tij kishte peshë, respektohej nga të gjithë. Unë shpesh, si me shaka, i drejtohesha jo në emrin e tij, Ramush, por me nofkën, “udhëheqës”. Shpesh takoheshim nëpër dhomat tona studentore dhe ne një grup i ngushtë, por edhe me studentët tjerë bisedonim dhe i qanim hallet e popullit tonë. Detyra jonë e parë ishte kryerja e studimeve dhe kthimi ynë në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Por, një shqetësim i përhershëm i yni ishte pozita e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe çka duhej bërë që ajo gjendje të ndryshonte për të mirën tonë. Në rrethanat e asaj kohe mundësia e vetme ishte që Kosova ta fitonte statusin e republikës brenda Federatës Jugosllave. Nga disa skenarë tjerë të mundshëm më i bindshmi ishte ai i një mundësie të shkatërrimit, shpërbërjes së Jugosllavisë, një situatë e ngjashme me atë të krijuar në vitin 1941. Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e kishin humbur një mundësi të shkëlqyer për t’u bashkuar në një shtet shqiptar. (Kjo është një temë tjetër e gjërë dhe nuk është vendi që të zgjatemi më tepër). Në këto biseda dilte në pah aftësia, zgjuarësia, mençuria dhe largëpamësia e Ramushit si një njohës i shkëlqyer i historisë së popullit tonë dhe rrethanave politike të asaj periudhe historike në të cilën po jetonim ne. Me një fjalë, kur të vinte koha jonë, të ishim të gatshëm e të përgatitur për t’u ballafaquar me çdo situatë të mundshme. Ishim ai brez që rrethanat historike dhe dashuria për vendin, kombin tonë, na kishin pjekur, burrëruar para kohe.
Dha ajo kohë të cilën e kishim pritur me dhjetëvjecarë të tërë erdhi. (Shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera në ish Jugosllavi gjatë gjithë historisë së tyre kurrë nuk i kanë ndalur përpjekjet për një Kosovë të lirë e të pavarur). Në vitin 1990 filloi shpërbërja e Jugosllavisë dhe shqiptarët ishin të përgatitur në kërkesat e tyre: Nëse Jugosllavia nuk shkatërrohej, Kosova duhej të shpallej republike e barabartë me republikat e tjera të Federatës Jugosllave; nëse Jugosllavia shpërbëhej, atëherë Kosova do shkëputej nga Jugosllavi dhe do të shpallej shtet i pavarur. Në këto procese kombëtare ka luajtur një rol të madh edhe Ramushi me përgatitjen e tij profesionale, guximin dhe karakterin e fortë kombëtar e njerëzor. Tani Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik. Me angazhimin e tij në administratën e Kosovës Ramushi e ka dhënë ndihmesën e tij të çmueshme për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve shtetërore demokratike të Kosovës.
Ramushi ishte i begatuar me virtyte e vlera të larta njerëzore që i cekëm me lartë, ishte mishërim i së mirës njerëzore. Në jetën e tij private dhe atë publike ai gjithmonë ka qenë një njeri shumë i drejtë, i sinqertë, i shoqërueshëm dhe shumë modest – njeri i tokës, apo siç thonë anglisht, “doën to earth”. Në paraqitjet e tij televizive në debate të shumta si analist, ai gjithmonë ishte në nivelin e duhur, i përgatitur mirë, fliste qetas me fakte dhe debatonte me argumente të forta dhe jo me sharje e fyerje personale. Për të gjitha çështjet serioze, problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova më ka ineresuar mendimi, vlerësimi i Ramushit, sepse gjithmonë i kam besuar sinqeritetit, logjikës dhe gjykimeve të tija të shëndosha.
Ikja e tij e parakohshme e ka lënë të pikëlluar familjen e tij, neve shokëve e miqve të tij – sikur na është shkëputur një gur çmueshëm nga mozaiku u jetës sonë.. Ka lënë një zbrazëti në jetën politike e publike të Kosovës. Jeta mbi dhe është e përkohëshme, veprat janë të përjetshme.
Prehu i qetë shoku im shtrenjtë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë e të pavarur!
P. S. E kam mbajtur te fortë veten keto ditë, por ja, në përfundim të këtij shkrimi sytë m’u mbushen me lotë. Do të na mungosh…
Filadelfia, më 22 gusht, 2021.
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerkane.