Raporti i KE-së për Kosovën kërkon zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Bruksel, 8 nëntor 2023 – Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe thirrjet për zbatimin e marrëveshjeve që çojnë drejt këtij normalizimi, janë në qendër të raportit vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, të në cilin theksohet se vendi ka bërë përparime të kufizuara në fushat që lidhen me procesin e përparimit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në raport shprehet keqardhje që Kosova dhe Serbisë nuk kanë filluar ende të zbatojnë detyrimet që dalin nga Marrëveshja e arritur në Bruksel me 27 shkurt dhe në Ohër me 18 mars, për rrugën drejt normalizimit.

“Në përgjithësi, Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por duhet të demonstrojë përkushtim më serioz, të investojë më shumë përpjekje dhe të bëjë kompromise për të çuar përpara këtë proces. Kosova duhet t’u përmbahet zotimeve të saj dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara” dhe marrëveshjes së këtij viti, thuhet mes tjerash në raport, në të cilin theksohet detyrimi i saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nga Kosova pritet ta nisë procesin i cili çon në themelimin e Asociacionit, bazuar në propozimin evropian të 21 tetorit dhe nga Serbia kërkohet ta mbështesë këtë proces dhe njëkohësisht të fillojë përmbushjen e detyrimeve të saj nga marrëveshja. Formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e zbatimit”, thuhet në raport.

Duke theksuar pritjet që Kosova dhe Serbia të angazhohen për të bërë përparim të shpejtë dhe konkret, raporti nënvizon se “normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”.

Më tej thuhet se situata në veri të Kosovës është ndikuar nga disa kriza me intensitet të ndryshëm për një sërë çështjesh, me një sulm të dhunshëm kundër policisë së Kosovës më 24 shtator 2023, “që përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit”.

Bashkimi Evropian pret që autorët të kapen dhe të vihen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”.

Në raport përshkruhen zhvillimet e vitit 2022 në veri të Kosovës veçanërisht rreth targave të makinave, pas vendimit të qeverisë së Kosovës më 29 qershor të viti 2022 për të ri regjistrimin e të gjitha makinave që kanë targa të vjetra të lëshuara nga Serbia si dhe zhvillimet që pasuan atë vendim e që çuan në bllokim rrugësh e largim të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Raporti vlerëson se zgjedhjet lokale në veri të Kosovës që u mbajtën me 23 prill ishin në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës, por bojkotimi i tyre nga partitë serb, dëshmoi se ato nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë.

“Mbetet e domosdoshme që të rivendoset një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme lokale duhet të mbahen sa më shpejt në të katër komunat, të jenë gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thuhet në raport.

Aty theksohet se masat ndëshkuese që u vendosën ndaj Kosovës pë shkak të tensioneve në veri, “janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por mbetet ende për të bërë”.

Raporti konstaton përparim të kufizuar në zhvillimin e një sistemi gjyqësor që funksionon mirë. Një përparim i kufizuar është arritur ne luftën kundër korrupsionit i cili mbetët çështje shqetësuese, thuhet në raport.

“Ndërsa vitin e kaluar parlamenti miratoi legjislacion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe kuadri ligjor për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale është avancuar, mbetet shumë për t’u bërë për zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit. Pavarësisht përmirësimit të punës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht. Kosova duhet të shtojë përpjekjet për hetime më aktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të pasurive”.

Kosova thuhet më tej “është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar dhe është arritur përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar”. Raporti nënvizon se dhe lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese.

“Kosova mbeti aktive në luftën kundër terrorizmit dhe luftën dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Kuadri ligjor për antiterrorizmin është pjesërisht në përputhje me kërkesat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Ligji për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ende nuk është ndryshuar”, thuhet aty, duke nënvizuar se “autoritetet duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave”.

Kuadri ligjor i Kosovës garanton gjerësisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përputhje me standardet evropiane, thuhet në raport, por ndërsa kapaciteti për të vëzhguar zbatimin e politikave dhe legjislacionit është përmirësuar, kërkohen përpjekje të mëtejshme për të zbatuar në mënyrë efektive të drejtat themelore.

Komisioni vlerëson se Kosova ka një kuadër të mirë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, por nevojiten veprime të mëtejshme për çështjet e vjetra siç janë mungesa e qasjes së barabartë në arsim dhe punësim, dhe përfaqësimin e ultë në institucionet publike, përfshirë edhe komunitetin rom dhe ashkali.

“Kosova ka një nivel të përgatitjes sa i përket lirisë së shprehjes. Është bërë përparim i kufizuar në trajtimin e rekomandimeve të raportit të mëparshëm. Shqetësimet mbeten në lidhje me sulmet dhe kërcënimet fizike, fushatat e shpifjeve publike dhe gjuhën e urrejtjes. Veçanërisht shqetësuese është mungesa e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës”, thuhet në raport.

Sa i përket kritereve ekonomike, Kosova ka bërë njëfarë përparimi për zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut, thekson raporti, sipas të cilit rimëkëmbja ekonomike e Kosovës u ul ndjeshëm në vitin 2022, kryesisht për shkak të zvogëlimit të investimeve dhe ngadalësimit të rritjes së konsumit të familjeve si pasojë e inflacionit të lartë, veçanërisht pas fillimit të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Përparim i kufizuar është konstatuar edhe në fushat e prokurimit publik dhe kontrollit financiar.

Në politikën tregtare lidhur me marrëdhëniet e jashtme, është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës së raportimit. Kosova ka bërë përparim në zbatimin e planit të veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, veçanërisht duke ratifikuar tre “marrëveshjet e procesit të Berlinit” për lëvizjen e lirë dhe njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve.

“Megjithatë, qeveria vazhdon të bllokojë mekanizmat vendimmarrës brenda CEFTA-s për shkak të mosmarrëveshjeve rreth përfaqësimit të Kosovës. Kosova ende nuk i ka ratifikuar protokollet shtesë të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë dhe tregtinë e shërbimeve. Për më tepër, me vendosjen e ‘masave të përkohshme operative të sigurisë’ në muajin qershor duke bllokuar hyrjen në Kosovë të mallrave serbe, Kosova duket se nuk është në përputhje me zotimet e saj sipas CEFTA-s. Masat bien gjithashtu në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”.

Raporti thekson se Kosova ka vazhduar të dënojë agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe të mbështesë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës. Qeveria ka vazhduar të miratojë paketa masash kufizuese kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, duke pasqyruar ato të vendosura nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në tekstin e raportit theksohet po ashtu se qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje ende mban një shumicë solide në parlament dhe vazhdoi të përparojë me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së. por “mungesa e vazhdueshme e bashkëpunimit ndërpartiak dhe mosmarrëveshjet brenda shumicës u dëshmuan si një sfidë për reformat. Për më tepër, deputetët e Listës Serbe bojkotuan punën e parlamentit”.

Megjithatë, përfundon raporti, periudha raportuese dëshmoi arritje të rëndësishme legjislative, duke përfshirë reformën zgjedhore në vend.

(Zëri i Amerikës)