Raportuesit e Komisionit të Venecias dëgjojnë opinionet për vettingun në Kosovë

Prishtinë, 9 shkurt 2022 – Pere Vilanova, Cesare Pinelli dhe Grainne McMorrow, raportues të Komisionit të Venecias për procesin e vetingut në systemin e drejtësisë së Kosovës, janë takuar të mërkurën në Prishtinë me Jetish Malokun,  Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Albert Zogajn, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), dhe Bahri Hysenin, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në njoftimin për media thuhet se në këtë takim është diskutuar për draftin e Konceptdokumentit për zhvillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, i ka njoftuar raportuesit e Komisionit të Venecias me qëndrimin e sistemit prokurorial për procesin e vetingut.

Ai ka thënë se KPK-ja dhe sistemi prokurorial i Kosovës mbeten të përkushtuara për të punuar në drejtim të zbatimit të plotë të Strategjisë së Sundimit të Ligjit, e cila ruan pavarësinë institucionale dhe synon të avancojë forcimin e sundimit të ligjit.

Gjatë takimit ka pasur pyetje dhe përgjigje të dyanshme lidhur me  konceptdokumentin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Komisioni i Venecias do të japë opinionin e tij lidhur me këtë konceptdokument gjatë muajit mars.

KPK dhe KGJK nuk kanë marrë pjesë në procesin e hartimit të Konceptdokumentit të procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.

(r.m.)