Prishtinë, 2 qershor 2026 – Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se përfaqësitë diplomatike në Kosovë i ka informuar për presionin që po ushtron Beogradi ndaj serbëve në Kosovë që nuk e mbështesin Listën Serben ë zgjedhjet e 7 qershorit.
Rashiq tha se ambasadat i ka njoftuar për, siç u shpreh, represionin ndaj qytetarëve, largimet nga puna dhe presionin politik gjatë fushatës zgjedhore.
“Për krejt këto e informova korin diplomatik. I shkrova dy faqe që t’i informoj sa më saktë se çfarë po ndodh”, tha Rashiq në podkastin “Përballje” të Telegrafi.com.
Ai tha se nga ambasadat ka kërkuar të dënohet çdo formë e diskriminimit dhe presionit ndaj qytetarëve serbë.
“Ju kisha lutur që ta keni në mend se kjo është e papranueshme në botën moderne. Besoj që edhe ju, sikurse ne, besoni në vlerat demokratike evropiane për votime të lira”, deklaroi ai.
Rashiq tha se reagimi i ambasadave ka munguar pavarësisht thirrjes së tij.
“Asnjë ambasadë nuk më ka kthyer përgjigje, përveç njërës, ambasadës së Malit të Zi, që ma ka kthyer konfirmimin e emailit. Asnjë tjetër nuk ka reaguar”, tha ai.
Rashiq tha se pas vazhdimit të presionit ai e ka dërguar edhe një letër tjetër më të shkurtër, ku ka kërkuar dënimin e kësaj forme të diskriminimit të serbëve që nuk e mbështesën Listën Serbe, partisë që kontrollohet nga Beogradi zyrtar.
“U luta që të ndalet kjo formë e diskriminimit, sepse me të vërtetë është tepër. Nuk kam pasur asnjë përgjigje”, tha ai.
Rashiq e cilësoi “zhgënjyese” mungesën e reagimit nga përfaqësitë diplomatike në Kosovë.
(r.m.)