Rashiq: Serbët e Kosovës po keqpërdoren nga regjimi autokratik i Beogradit

Prishtinë, 26 prill 2023 – Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka folur të mërkurën për zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës që u mbajtën të dielën.

Në një konferencë të përbashkët me zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi, Rashiq ka thënë se me këto zgjedhje është arritur vetëm një zgjidhje e përkohshme, duke theksuar se asnjë sistem demokratik nuk do të dëshironte një përqindje kaq të vogël të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Rashiq ka thënë se pjesëmarrja e vogël e serbëve nëzgjedhje është pasojë e keqpërdorimit tyre nga regjimi autokratik i Beogradit, për qëllimet e veta.

“Kjo që ka ndodhur këtë fundjavë është një zgjidhje e përkohshme, sepse asnjë sistem nuk preferon një përqindje aq të vogël, që 2-3-4 për qind që të votohet në një proces i quajtur demokratik, por është një planifikim apo vazhdimësi e keqpërdorimit të serbëve në Kosovë nga ana e një regjimi autokrat që i përdor serbët si mjet për të arritur qëllimet e veta. Të them të vërtetën, nuk mund të kuptoj çka po përpiqen të bëjnë”, është shprehur Rashiq.

Ai ka thënë se serbët në pjesën veriore të Kosovës përballen me një presion shumë të madh të Beogradit dhe shtoi se ai është i gatshëm t’i takojë të gjithë ata që duan bashkëpunim.

Rashiq tha se serbët e Kosovës kanë nevojë për zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes së Ohrit. Ai ka thënë se janë ata që humbasin më së shumti nga moszbatimi i kësaj marrëveshjeje.

“E Kemi kaluar një rrugë të gjatë që të arrijmë në këtë moment, prandaj kushdo që të jetë ai ose ajo që ta prishë mundësinë e zbatimit të marrëveshjes, asaj të Ohrit, të cilën e shoh si bazë të mirë për të vazhduar procesin e pajtimit, i dëmton rëndë interesat e qytetarëve. Kur e them këtë, flas në emër të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët më së shumti mund të humbasin nëse nuk respektohet një marrëveshje e tillë”, ka thënë Rashiq.

 (r.m.)