Rashiq: Unë dhe bashkëpunëtorët e tij u kërcënuam dhe shantazhuam nga Serbia

Prishtinë, 10 tetor 2025 – Nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, ka bërë të ditur se ai dhe bashkëpunëtorët e tij, vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Kosovë, janë kontaktuar nga persona me numra telefoni nga Serbia dhe janë shantazhuar.

Rashiq, kryetar i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e cila është opozitë e Listës Serben ë Kosovë,  ka thënë se më 24 korrik 2025 tre bashkëpunëtorët e tij të afërt I kishte kontaktuar një person me telefon me numër nga Serbia, I cili ishte prezantuar si bashkëpunëtor i Agjencionit Informativ të Serbisë (BIA) dhe i kishte shantazhuar.

“Me ultimatum u kanë thënë që të shkojnë në Beograd brenda dy ditësh, siç ka thënë, ‘për të mirën e tyre’. Ka qenë ditë e enjte. Takimi është caktuar për të shtunën. Toni me të cilin iu është drejtuar ka qenë kërcënues dhe urdhërues. Askush nga bashkëpunëtorët e mi nuk i është përgjigjur kësaj thirrjeje”, ka deklaruar Rashiq.

Ai ka thënë se pasi bashkëpunëtorët e tij nuk i ishin përgjigjur urdhrit të personit që i ka kontaktuar, në javën e parë të gushtit, nga numri i njëjtë i tlefonit, kanë marrë një mesazh ku thuhej: “Nuk keni dashur të bashkëpunoni, prandaj tash e tutje ne do t’i shfaqim në publik disa gjëra komprometuese për ju”.

Rashiq ka thënë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë marrë me këtë punë, sepse edhe më parë janë kontaktuar në këtë mënyrë disa herë, por në gjysmën e muajit gusht kishte marrë vesh se disa redaksi i kanë marrë disa incizime dhe për këtë menjëherë i ka njoftuar organet kompetente.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se Fatmir Sheholli, i cili u arrestua të enjten nën dyshimin se ishte bashkëpunëtor i Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), më 26 shtator të këtij viti, në Mitrovicë të Veriut, kishte marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim të cilën e drejtonte Nenadh Rashiq. Materialet e grumbulluara, të cilat kanë përmbajtje komprometuese për këtë ministri dhe për Rashiqin, i janë përcjellë BIA-s e pastaj janë publikuar në mediet online.

(r.m.)