Rasti “Gërdeci”: Shkëlzen Berisha e Aldo Bumçi do të thirren dëshmitarë

Tiranë, 22 shtator 2023 – Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit i dorëzoi sot gjykatës një liste me afro 70 dëshmitarë, të cilët sipas saj duhet të thirren në procesin kundër ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për rastin e shpërthimit të depos së municioneve në Gërdec në vitin 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona, ndërsa mbi 250 të tjerë mbetën të plagosur.

Kërkesa e prokurorisë pason vendimin e zoti Mediu dhe mbrojtësve të tij për të hequr dorë nga gjykimi i shkurtuar dhe zhvillimin e një procesi normal.

Në listën e dëshmiarëve të Prokurorisë së posaçme bie në sy dhe emri i ish ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi dhe zotit Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit Sali Berisha, të cilët i lidh së bashku dhe një shkresë e nisur me faks nga zyra e zotit Bumçi në ministrinë e Drejtësisë, me mbishkrimin për djalin e ish kryeministrit. Zoti Bumçi e ka mohuar një fakt të tillë duke këmbëngulur se bëhet fjalë për një falsifikim. Nga ana tjetër, zoti Shkëlzen Berisha, rezulton sipas hetimeve të zhvilluara në atë kohë se kishte hyrje dalje të shpeshta në ministrinë e Mbrojtjes, apo dhe komunikime me Mihal Delijorgjin, një prej biznesmenëve shqiptar të përfshirë në demontimin e municioneve të ushtrisë shqiptare.

Prokuroria ka thirrur si dëshmitarë dhe shumë familjarë të viktimave, si dhe personat e terë që ishin pjesë e hetimit të kryer pas shpërthimit dhe që u dënuan.

Djali i ish kryeministrit, u thirr në fillim të këtij viti para prokurorëve, si deklarues për çështjen Gërdeci, duke mohuar të etë ndonjë lidhje me ngjarjen. Kjo do të jetë hera e parë që ai dëshmon për rastin e shpërthimit të depos së municioneve në vitin 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona, ndërsa mbi 250 të tjerë mbetën të plagosur.

Edhe mbrojtja e zotit Mediu ka paraqitur një listë të gjatë me 90 dëshmitarë, të cilët ajo kërkon të thirren në proces, i cili me gjasë do të zgjasë për një kohë jo të shkurtër.

Procesi gjyqësor ndaj ish ministrit të Mbrojtjes, u nxit nga një kallëzim i familjarëve të viktimave. Zoti Mediu, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Të njejtat akuza që u ngritën ndaj tij në vitin 2009 edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, por për të cilat zoti Mediu nuk u gjykua asnjëherë, pasi në verën e atij viti rifitoi mandatin e deputetit.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)