Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhnjimit mbi vdekjen

Në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” u bë promovimi i librit “Reçaku, historia e një krimi lufte”, shkruar nga ambasadori William G. Walker

Nga dr. Sadik Elshani

Ditën e shtunë më 7 shkurt në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” në Philadelphia u zhvillua një veprimtari e rëndësishme dhe shumë e vecantë, promovimi i librit të ambasadorit William Walker, “Recaku, historia e një krimi lufte”. Kjo veprimtari ishte konceptuar jo vetëm thjesht si një promovim libri, por edhe për t’i shprehur mirënjohjen e falenderimet tona ambasadorit Walker për rolin e tij vendimtar për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Por, edhe për t’u përkulur, për të shprehur nderimin tonë për viktimat e masakrës së Reçakut, si dhe të gjtha  viktimave të tjera të regjimit gjenocidal serb. Nga gjaku i këtyr viktimave të pafajshme dhe gjaku i derdhur i dëshorëve që luftuan me trimëri me pushtuesin serb lindi liria e Kosovës. Si në legjendat, baladat shqiptare ata u bënë flijim (kurban) i lirisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Ineresimi për këtë veprimtari ishte i jashtëzakonshëm. Edhe pse ishte dita më e ftohtë e këtij sezoni dimëror, salla ku u zhvillua veprimtaria ishte e stërmbushur me bashkatdhetarë që kishin ardhur edhe nga shtetet e tjera: Nju Xhersi, Nju Jorku, Connecticut, etj. Ambasadori Walker shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Nelly, si dhe dy veprimtarët e komunitetit shqiptaro – amerikan, dhe njëherësh bashkëpunëtorë të tij, Sab Gashi dhe Lulzim Shubiu. Që në fillim të veprimtarisë u shfaq një reportazh që pasqyronte masakrën e Reçakut dhe rrjedhën e ngjarjeve në vitet në vazhdim, realizuar nga Radio Freee Europe/Radio Liberty.

Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z.Dritan Matraku, i cili i përshëndeti mysafirët dhe të pranishmit, duke i falenderuar për pjesëmarrjen e tyre. Ai Falenderoi z. Ambasador dhe i shprehu mirënjohje për angazhimin e tij në Kosovë dhe posaçërisht zbardhjen e masakrës së Recakut, këmbënguljen e tij për të zbuluar të vërtetën e kësaj masakre. Jehona e kësaj masakre e alarmoi botën përendimore që më në fund duhej të angazhoheshin në Kosovë për shpëtimin e popullsisë shqiptare nga regjimi gjakatar serb.

Për vlerat e librit ishte caktuar të fliste z. Sadik Elshani, ish-kryetar i shoqatës dhe njëherësh shkruesi i këtyre radhëve, i cili kishte bërë një analizë të thuktë. Z. Elshani shprehu kënaqësinë që në mesin tonë kishim një mik të madh të shqiptarëve, një nga personat më të dashur e më të respektuar nga të gjithë shqiptarët, një diplomat par excellence, një njeri të mrekullueshëm. Emri i z. Walker për shqiptarët është bërë tashnë sinonim me Reçakun.Por, para angazhimit të tij në Kosovë ambasadori Walker ka shërbyer si diplomat kryesisht në Amerikën Latine dhe Amerikën e Mesme, ku ka mbajtur poste të rëndësishme, në fund edhe ambasador në El Salvador. Këto pjesë të botës në atë kohë kanë qenë zona të trazuara me plot probleme sociale, ideologjike, konflikte të armatosura. Këto situata sfiduese, këto përvoja të ashpra e kishin bërë ambasadorin Walker si kandidatin më të përshtatshëm për angazhimin e tij në Kosovë si shef i Misionit Verifikues, për të praktikuar diplomaci të vërtetë.  Pastaj z. Elshani i bëri një pasqyrë të shkurtër gjendjes së rëndë në Kosovë në vitet e periudhës 1989 – 1999, lëvizjen paqësore të dr. Rugovës dhe paraqitjen dhe luftën e UÇK-së – ngjarje që pasqërohen edhe në faqet e këtij libri.

Tha pastaj vjen masakra e Reçakut. Tani të gjithë e dimë si ndodhi kjo masakër, prandaj nuk do të futemi këtu në detaje, por vlen të theksohet, se në momente të tilla dramatike kyçe është më rëndësi që të dëshmohen nga një person që ka integritet, dinjitet njerëzor, fisnikëri, njeri që e çmonë jetën, është i guximshëm dhe i vendosur për ta zbardhur të vërtetë; njeri që i ka parë këto tmerre me sytë e tij e jo të flasë me fjalët e tjetrit. Wshtë fat në fatkeqësi që në këtë situatë tragjike ka qenë i pranishëm një diplomat amerikan me përvojë, i cili e alarmoi botën perëndimore, e vuri në lëvizje diplomacinë botërore kur në konferencën për shtyp në Prishtinë deklaroi se keto ishin krime kundër njerëzimit. Sikur mos të kishte qenë i pranishëm atë ditë në Reçak Ambasadori Walker, apo në vend të tij të kishte shkuar zëvendësi i tij, diplomati francez Gabriel Keller, me siguri përfundimi i kësaj masakre do të ishte krejtësisht ndryshe – ato viktima do të kishin mbetur vetëm numra në listën e gjatë të mijëra viktimave të tjera. Ambasadori Walker punoi pa u ndalur që të sigurojë që këto viktima nuk kanë vdekur kot. Me veprimet e tij të parreshtura, përkushtim e këmbëngulje ai atyre u dha një zë të fuqishëm për liri dhe dinjitetin njerëzor. Jehona e kësaj masakre e zgjoi ndërgjegjen e fjetur, ndërgjegje e vrarë të qeverive perëndimore, por edhe e bashkoi faktorin shqiptar. Pas pak kohe ndodhi Konjerenca e Rambujesë, duke vazhduar me bombardimin e NATO-s në pozicionet serbe. Të gjitha këto aksione sollën lirinë e Kosovës. Serbët gjer më sot nuk kanë marrë përgjegjësi për këtë krim dhe krimet e tjera të kryera anembanë ish-Jugosllavisë. Përkundrazi, ata thonë se masakra e Reçakut është një mashtrim i madh; këto krime janë kryer nga UÇK-ja; janë organizuar nga CIA për të nxitur bombardimet e NATO-s, si dhe shumë rrëfime të tjera të çmendura të kësaj natyre.

“Reçaku, historia e një krimi lufte” është një libër magjepës e i fuqishëm i shkruar me një gjuhë të pastër e të drejprdrejtë për konfliktin në Kosovë, duke sjellur ngjarje nga terreni dhe nga prapaskenat e diplomacisë perëndimore. Wshtë një mozaik i pasur me ngjarje të përjetuara nga një diplomat i rryer me një karrier të gjatë e të jashtëzakonshme. Wshtë një monument i shkruar për kujtimin e viktimave të Recakut. Do të jetë një ndihmesë e madhe, një libër referencë për historianët dhe studiusit e historisë së Kosovës që sjell rrëfime, dëshmi të dorës së parë nga një diplomat që i ka parë ato ashtu siç kanë rrjedhur në kohë reale.Gjithashtu, ky libër do të jetë një doracak i vlefshëm edhe për diplomatët, do t’u shërbejë atyre si mësim sesi duhet të praktikohet diplomacia e vërtetë. Do t’u shërbejë si një mësim historie edhe brezave më të rinj, për t’u rikujtuar atyre vuajtjet, përpjekjet e sakrificat e popullit shqiptar për liri e pavarësi.

Shqiptarët janë popull falenderues e mirënjohës, prandaj ne e falenderojmë ambasadorin Walker për punën e tij të pakursyer për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Sipas traditës sonë për t’i përjetësuar ngjarjet dhe personalitetet e rëndësishme në këngë, shume këngë u janë kushtuar ambasadorit Walker dhe masakrës së Reçakut. Një statuje e lartë e bronxtë e ambasadorit Walker qëndron afër Memorialit të Viktimave të Reçakut. Ne jemi krenar ta qujmë ambasadorin Walker mik të dashur.

Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë përshëndeti ish-kryetari i kësaj shoqate z. Mhill Velaj, i cili i shprehu falenderimet z. ambasador për misionin e tij fisnik në Kosovë dhe duke e quajtur atë një Shenjtë.

Dr. Doruntinë Rukiqi mjaft e emocionuar shprehu falenderimet për punën me përkushtim të ambasadorit Waker. Ajo pastaj rrëfeu se si fëmijë e kishtë përjetuar atë katastrofë njerëzore që po ndodhte në Kosovë, familja ishte dëbuar me dhunë nga shtëpia e tyre. Pastaj ajo theksoi se falë angazhimit të ambasadorit Walker ajo dhe familja e saj sot janë gjallë.

Rrëfim të ngjashëm pati edhe zonjusha Jona Hajrullahu, e cila me mjaft emocione falenderoi z. Walker për punën e tij në Kosovë dhe falë këtyre veprimeve prindërit e saj kishin shpëtuar. Ajo është e lindur në Amerikë dhe tani është studente e dalluar në Universitetib Amerikan në Uoshington D. C.

Me shumë entuziazëm u prit fjala e ambasadorit Wal;kern ga të gjithë të pranishmit. Në fillim të fjalës së tij z. Ambasador falenderoi organizatorët e kësaj veprimtarie për punën e tyre të mrekullueshme. Pastaj ai foli në pika të shkurtëra për punën e tij si shef i Misionit Verifikues në Kosovë, duke u përqëndruar në masakrën e Reçakut. Ai theksoi se kjo ishte nga ngjarjet më të tmerrshme që ai kishte përjetuar gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike. Siç u cek edhe më lart kjo masakër ishte pikë kthesë në luftën e Kosovës. Edhe para edhe pas kësaj masakre kanë ndodhur masakra të tmerrshme në Kosovë, por për dallim nga të tjerat kjo masakër kishte edhe diçka të veçantë, ngërthen në vete të gjithë përbërësit për të nxitur veprimin e qeverive perëndimore dhe intervenimin ushtarak të NATO-s. Z. ambasador ceku edhe rrethanat e ngjarjet e ndryshme që po ndodhnin me udhëheqësit e ShBA-ve, Anglisë e Gjermanisë, pra, edhe ato kishin një ndikim te këta udhëheqës për të bërë diçka në Kosovë. Kjo masakër ishte një shkëndijë që mundësoi ndezjen e atij zjarri të madh. Shumë gjëra nga fjala e z. ambasador u cekën më lart dhe gjenden edhe në faqet e këtij libri, prandaj nuk po zgjatemi më tepër këtu. Ambasadori Walker pati shumë fjalë të mira për shqiptarët në diasporë dhe në trojet e tyre etnike, duke vlerësuar vendosmërinë, këmbënguljen për t’u dalë punëve në krye, vullnetin për të ecur përpara. Ai si shembull e mori edhe shoqatën tonë, punën që ka bërë komuniteti yne për restaurimin e godinës së shoqtës sonë, të cilën ai e qujti një gurë të çmueshëm. Ambasadori e vlerësoi edhe punën e madhe që është bërë në Kosovë në këto 25 vitet e fundit dhe shprehu kënaqësinë e tij që sot Kosova është një margaritar i demokracisë në Ballkan dhe Evropë.

Për kontributin e tij të çmueshëm dhe rolin vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës shoqata “Bijtë e shqipes” e nderoi z. ambasador me Certifikatën: Anëtar Nderi i Shoqatës,

Në vazhdim z. Lutfi Brami, poet dhe veprimtar i shoqatës sonë lexoi një poezi që ia kishte kushtuar ngjarjes dhe viktimave të masakrës së Reçakut. Z. Sulejman Dida, ish-gazetar i Radio Kukësit i dhuroi z. ambasador librin e tij “Rrëfimet e të dëbuarve nga Kosova në vitin 1999”. Pak më vonë z. Dida zhvilloi edhe një intervistë me ambasadorin Walker. Kjo pjesë e veprimtarisë u përmbyll me një këngë folklorike kushtuar masakrës së Reçakut dhe ngjarjeve që rrodhën në vazhdim, kënduar nga këngëtari Sadik Krasniqi.

Veprimtaria pastaj vazhdoi me koktelin e shtruar për të gjithë pjesëmarrësit dhe nënshkrimin me përkushtim të librit nga autori, ambasadori Walker.

Ishte kjo një veprimtari madhështore e përgatitur me mjaft përkushtim e profesionalizëm, falë angazhimit të veprimtarëve të shoqatës “Bijtë e shqipes”. Tërë veprimtarinë e përshkoi një atmosferë e ngrohtë miqësore, ku të gjithë të pranishmit shprehnin falenderimet e mirënjohjet e tyre për misionin fisnik të ambasadorit Walker në Kosovë. Padyshim, ambasadori Walker është ndër personat më të respektuar e më të dashur për të gjithë shqiptarët. Ai është engjëlli mbrojtës, engjëlli shpëtimtar i shqiptarëve të Kosovës. Duhet të jemi krenarë qe kemi një mik të madh e të sinqertë si ambasadori Walker.

Ambasadorit i dëshirojmë pleqëri të mbarë, shëndet dhe të na dhurojë në të ardhmen edhe libra të tjerë për të vërtetuar me fakte, me dëshmitë e tij se çka ka ndodhur vërtetë në Kosovë.

Philadelphia, më 9 shkurt 2026 

Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.