Reflektim për një peticion…

Nga dr. Sadik Elshani

Sadik Elshani

Kohë më parë një grup intelektualësh, akademikësh, studiuesish e qytetarë të profileve të ndryshim, nga më të rëndësishmit të Shqipërisë dhe disa nga Kosova u janë drejtuar me një peticion Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit e disa agjensive për media e informim. Në këtë peticion ata shprehin pakënaqësitë dhe shqetësimet e tyre për përmbajtjen dhe mënyrën e paraqitjes së informacionit në disa portale e media televizive. Shpesh në këto programe televizive ka edhe mjaft shtrembërime të fakteve e të dhënave shkencor, gjysëm të vërteta e keqinformime. E të mos flasim për mungesën e kulturës së komunikimit me njëri – tjetrin, duke bërtitur e duke fyer e sharë njëri – tjetrin. Për këto dukuri të shëmtuara edhe vetë kohë më parë e kam botuar një shkrim me titull: “Gladiatorët e studiove televizive, ekranit televiziv”. Pasi e kam shprehur pakënaqësinë time për përmbajtjen e tyre të dobët, analiza të pabaza e të cekëta, argumenteve joprofesionale e ngritjes së zërit, duke fyer e mosrespektuar bashkëbiseduesit. Në këtë shkrim kam dhënë edhe disa ide sesi të mënjanohen këto dukuri të shëmtuara: “Për ata që i thyejnë rregullat e mirësjelljes, ligjërimit të qytetëruar, moderatorët duhet të marrin masa, t’i përjashtojnë për disa ditë, e nëse i përsërisin të njejta sjellje, atëherë të përjashtohen përgjthmonë. Ndoshta kështu mbushën mend. Edhe sponsorizuesit e këtyre programeve nuk duhet të qëndrojnë indiferent ndaj këtyre situatave të pakëndshme. Fytyrat publike, qofshin ata gazetarë, politikanë apo diçka tjetër, duhet të jenë shembull për të mirë për të gjithë, sidomos për të rinjtë. Komunikimi i qytetëruar, edhe kur nuk pajtohesh me dike, respekti i ndërsjellë për njëri – tjetrin janë tiparet më bazike të një shoqërie të kulturuar, qytetëruar. Duhet të tregojnë respekt për shikuesin, stacionet televizive, profesionin dhe veten e tyre”.

Ka shumë gjëra që nuk janë duke shkuar mirë e për të cilat mund të bëhen peticione e peticione, por vetëm me peticione nuk zgjidhen problemet e shumta të Shqipërisë, të Kosovës e të trojeve tjera shqiptare. Duhet angazhim e veprim konkret. Ndoshta në shikim të parë nuk ka asgjë të keqe në këtë peticion, por mënyra sesi është thurur, institucioneve që u është drejtuar dhe kërkesat e tyre janë problematike. Ata kërkojnë që këtyre personave që shprehin e paraqesin pikëpamje jo të sakta shkenvore u duhet mbyllur goja, këta “sharlatanë”, sipas tyre duhet të largohen nga studiot televizive. Kjo është sjellje tipike staliniste. Janë mësuar disa nga këta studiues e intelektualë me veprime autoritare e jodemokratike të regjimit të kaluar. Ka mënyra të tjera sesi duhet ballafaquar me vetje (individë) të tillë. Në një shoqëri demokratike liria e fjalës gjithmonë duhet të jetë e shenjtë, edhe atëherë kur nuk pajtohesh me qëndrimet e dikujt. Nënshkruesit e këtij peticioni kryesisht mllefin e tyre e shprehin ndaj disa panelistëve, të cilët në disa programe televizive, pa kurrëfarë fakte e referenca shkencore pohojnë se gjuha shqipe ëstë njëra nga gjuhët më të vjetra të botës nga e cila burojnë edhe shumë gjuhë të tjera, përmes së cilës spjegohen edhe shumë fjalë të gjuhëve të tjera, etj. Si njeri që merret me shkencat e natyrës, shkencat ekzakte, gjithmonë do ta mbroj saktësinë shkencore, të dhënat experimentale, argumentet e bazuara në shkencën e shëndoshë, pa shtrembërime e pasaktësi. Pra, ata pëqëndrohen në një çështje tepër të ngushtë shkencore.

“Studimi i vjetërsisë së gjuhës shqipe nuk mund t’u lihet pseudoalbanologëve, etimologëve të improvizuar, pikëpamjet e të cilëve s’do të pranoheshin nga asnjë forum shkencor brenda e jashtë Shqipërisë”, shkruajnë ata ndër të tjera në këtë peticion. Atëherë, përse Akademia e Shkencave, apo ndonjëri nga këta të nënshkruarit nuk merren seriozisht me vjetërsinë e gjuhës shqipe, t’i botojnë studimet e tyre në revista profesionale e t’i paraqesin nëpër konferenca shkencore e jo të merren me këta pseudoalbanologë. Shumica e tyë nënshkruarëve të këtij peticioni nuk janë gjuhëtar dhe disa nga ata që janë gjuhëtarë, asnjëri prej tyre nuk merret me vjetërsinë e gjuhës shqipe. Me rëndësi është që të vërtetohet vjetërsia e gjuhës shqipe shkencërisht e pastaj të tjerët le të flasin çka të duan. Fjalët e botës nuk mbyllën kurrë. Ndoshta ky debat do të jetë një nxitje për studiusit tanë që të merren më me përkushtim e seriozitet me çështjet e ndryshme gjuhësore e probleme të tjera shkencore e arsimore, gjendjen e mjerueshme të gjuhës sonë, të folur e të shkruar, të bombarduar me fjalë e shprehje të huaja, gabime të shumta gramatikore, etj. Me dekrete staliniste nuk zgjidhen problemet gjuhësore dhe as ndonjë problem tjetër i çfarëdo natyre qoftë ai. Në vend se të ankohen e vajtojnë për gjendjen e mjerueshme, nivelin e ulët shkencor të këtyre “sharlatanëve”, këta studiues duhet t’i përvishen punës për të dhënë ndihmesën e tyre për tejkalimin e këtyre dukurive negative e të dëmshme. Në këtë listë prej rreth 100 të nënshkruarish, po shoh mjaft prej tyre me tituj e grada shkencore dhe mendja po më shkon se me siguri dikush nga këta “sharlatanët” e studiove televizive do të kenë qenë nxënës apo studentë të ndonjërit prej tyre.

Për këtë peticion është shkruar mjaft, pro e kontra (për e kundër) në mediat e shkruara dhe ato elektronike, por ajo që më shtyri t’i shkruaj këto radhë është edhe paraqitja e disa të nënshkruarëve të këtij peticioni në shtypin e shkruar dhe në studiot televizive, qëndrimet, deklaratat e pohimet e të cilëve janë për çdo kritikë, janë më të dëmshme se të atyre “shalatanëve” të cilët i kritikojnë dhe mundohen t’ua mbyllin gojën. I pari që i prin këtij peticioni, akademik Rexhep Qosja (respekt për punën e tij si kritik e studiues i letërsisë), nuk le rast pa i thurur himne e lavdi regjimit të Enver Hoxhës. Ndërsa akademiku tjetër, historiani Pëllumb Xhufi të lë përshtypjen e një avokati mbrojtës të krimeve të komunizmit, nuk le rast pa i dalë në mbrojtje regjimit çnjerëzor të Enver Hoxhës. Deklaratat e qëndrimet e tij për kampin e Tepelenës se nuk ka qenë edhe aq i keq, janë më tepër se skandaloze, janë jo njerëzore. Ai kamp nuk ka qenë kamp pushimi, por ka qenë një kamp i tmerrshëm ku kanë qenë të internuar me mijëra shqiptarë: burra e gra, plaka e pleq të rinj e fëmijë, të cilët kanë jetuar në kushte të mjerueshme, të keqtrajtuar e të torturuar, gra e vajza të reja të përdhunuara nga komandantët e gardianët e pashpirt të atij kampi. Në atë kamp kanë vdekur 300 fëmijë, jo nga kushtet e mira, por nga mjerimi i tejskajshëm. Akademik Xhufi pa kurrëfarë ndejshmërie e ngriti zërin e tij kundër ndërtimit të një përmendoreje (memoriali) për këta fëmijë fatkeqë. Përse ky historian që merret me Periudhën e Mesjetës përzihet në çështje të tilla?! I kërkoi dikush opinionin e tij?!

Në mesin e këture 100 personaliteteve të rëndësishme po figuron edhe emri i presidentit Bamir Topi, i cili në të folurit, ligjërimin e tij përdor mjaft fjalë të huaja, vend e pa vend. Meqenëse e përmendëm fjalën president, duhet theksuar se në vend të kësaj fjale ne e kemi fjalën e bukur shqipe: kryetar. Edhe neni 86, pika 1 e Kushtetutës së Shqipërisë,që e përkufizon të parin e vendit është përpiluar gabimisht: “Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Siç e cekëm më lart, fjala president ne gjuhën shqipe përkthehet me fjalën kryetar, ndërsa fjala unitet, po asht është fjalë e huaj që përkthehet me fjalën shqipe: bashkim. Do të ishte më e drejtë sikur neni 86, pika 1 të përpilohej, thurej kështu: “Kryetari i Republikës është kreu i shtetit dhe përfaqëson bashkimin e popullit”. Këta studiues ka qenë dashtë t’ia dërgonin një peticion Kuvendit të Shqipërisë, jo për t’i larguar “sharlatanët” nga studiot televizive, por për të kërkuar nga deputetët që si përfaqësues të popullit të sillen me dinjitet e qytetari në tempullin e demokracisë e jo ta shndërrojnë atë në arenë gladiatorësh, vatër zjarri. Është mirë që këta studiues e akademikë të japin zgjidhje për këto dukuri të shëmtuara të shoqërisë sonë, të merren me rrënjët, burimin e problemeve dhe jo me simptomat e tyre. Kemi shumë probleme, por jemi duke bërë pak përpjekje për t’i zgjidhur ato. Ende nuk e kemi të shkruar historinë e popullit tonë ashtu si duhet, duke u bazuar në fakte e pa ndikime ideologjike e politike. Shqipëria ende nuk i ka dënuar krimet e komunizmit, ndërsa “ajka” e kombit tonë hesht!

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Comment

*