Reforma në drejtësi, një prej kushteve për integrimin e Shqipërisë në BE

Tiranë, 10 maj 2023 – Reforma aktuale në Drejtësi dhe 110 vjetori i themelimit të Gjykatës së Lartë ka bërë bashkë në Tiranë përfaqësues më të lartë të shtetit dhe të sistemit gjyqësor, si dhe të vendeve perëndimore, që mbështesin këtë reformë.

Diplomatë amerikanë dhe europianë theksuan rëndësinë e madhe, që suksesi i kësaj reforme ka për zhvillimin e Shqipërisë, si dhe për integrimin e saj në Bashkimin Europian.

Në konferencën kushtuar 110 vjetorit të themelimit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, u diskutua gjerësisht mbi reformimin e sistemit të drejtësisë shqiptare vitet e fundit.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, theksoi se reforma në drejtësi ka në thelb ndarjen e gjyqësorit nga ndikimi politik dhe tani vazhdon të prodhojë rezultate reale dhe se po rritet besimi i qytetarëve tek drejtësia.

“Reforma në drejtësi dhe angazhimi i SHBA-ve për të mbështetur Shqipërinë nuk ka për të ndryshuar. Kundërshtarët e reformës në drejtësi duan që ajo të dështojë, sepse po shohin që ajo funksionon. Ata do të donin të fshihnin veprimet e tyre korruptive, dhe të mbajnë gjallë mosndëshkimin e tyre. Ja pse është kaq e rëndësishme që secila pjesë e sistemit gjyqësor të përmbushë detyrat ligjore. Kjo është në dorë të vet Shqipërisë, ndërsa SHBA dhe BE do të sigurojnë si përherë mbështetjen e fuqishme. Askush nuk është mbi ligjin”, theksoi ambasadorja Kim.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, theksoi pritshmëritë e larta të qytetarëve ndaj sistemit të reformuar të drejtësisë, prej nga presin, siç u shpreh ai, korigjimin e padrejtësive të pësuara ndër vite, ndërsa tani reforma po jep rezultate, duke synuar standarte të larta profesionale, sundimin e ligjit dhe jo të individëve të pandëshkueshëm.

“Të gjithë duhet të pranojmë se Shqipëria me këtë reformim të sistemit hodhi një hap të guximshëm, radikal, dhe me sfida që ende janë të pranishme edhe sot. Me përmbylljen e saj duhet të arrijmë një sistem drejtësie funksional dhe me standartet e duhura, ku respektimi i të drejtave të njeriut të jetë qëllimi kryesor”, tha zoti Begaj.

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohman, theksoi se rezultatet e reformës në drejtësi nisin nga integriteti i lartë dhe transparenca e vet sistemit, si edhe nga procesi i vetingut, ndërsa tani pritet drejtësi cilësore, duke nisur nga trajtimi i stokut të çështjeve gjyqësore, që janë akumuluar dhe në vazhdim.

“Mesazhi ynë është i qartë: nuk ka anëtarësim me BE pa reformimin e suksesshëm të sistemit shqiptar të drejtësisë. Gjyqtarët dhe institucionet e reja të drejtësisë kanë në duar të tashmen dhe të ardhmen e vet sistemit gjyqësor si dhe të ardhmen e antarësimit të Shqipërisë në BE”, theksoi ambasadorja Hohman.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, tha se pas periudhës së errët të shkeljes massive të drejtave të njeriut, drejtësia shqiptare doli nga tranzicioni i gjatë dhe i dhimbshëm dhe me reformimin e fundit po ecën drejt pavarësisë dhe paanshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit.

“Nuk mund të ecim përpara pa iu kthyer këtyre të vërtetave. Mendoj që me transformimin 30-vjeçar, i cili në fakt u kulmua edhe me reformën në drejtësi, jemi përpara një drejtësie më të mirë, ndonëse ende larg me aspiratat dhe objektivat tona”, tha zonja Llagami.

Zëvendës-kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi thotë se drejtësia shqiptare po përballet me probleme të vjetra, të trashëguara në vite si dhe me probleme të reja dhe të panjohura.

“Numri në rritje i çështjeve gjyqësore kundrejt numrit të ulët të gjyqtarëve, vonesat në gjykim, mosekzekutimi i formës së prerë, praktika të ndryshme në çështje të ngjashme, niveli profesional, etik dhe moral i magjistratëve, por edhe pandëshkueshmëria kërkojnë zgjidhje tërësore dhe strategjike”, tha zoti Sadushi.

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është përfshirë prej disa vitesh në një reformim të thellë kushtetuese dhe strukturore, që synon pastrimin nga korrupsioni dhe paaftësia përmes vettingut, si dhe arritjen e standarteve të cilësisë profesionale në gjykim.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)