Regjimi i Iranit i kërcënon protestuesit me dënime me vdekje

Teheran, 9 janar 2026 – Prokurori i Teheranit, Ali Salehi, tha se pjesëmarrësit në trazira që dëmtojnë pronën shtetërore ose përplasen me forcat e sigurisë mund të përballen me dënimin me vdekje, raporton Fox News.

Kreu i gjyqësorit të Iranit, Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, premtoi dënime të ashpra pa asnjë mëshirë.

Këto kërcënime u bënë pas vrasjes së prokurorit të qytetit Esfarayen, Ali Akbar Hosseinzadeh, dhe të disa oficerëve të sigurisë. Autoritetet pretendojnë se zyra e prokurorit u dogj nga protestuesit.

Media iraniane raporton gjithashtu për vdekjen e oficerëve të policisë dhe anëtarëve të IRGC-së në Teheran, Qom dhe Kermanshah.

Ministria e Inteligjencës u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i kallëzojnë “sabotatorët dhe mercenarët e Shteteve të Bashkuara dhe regjimit sionist”.

Televizioni shtetëror paralajmëroi se kushdo që del në rrugë në mbrëmje do të qëllohet.

 

Princi i kurorës së Iranit në mërgim, Reza Pahlavi, në një intervistë për Fox News, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të ndërhyjë në situatën në Iran, ndërsa Trump paralajmëroi një përgjigje të ashpër të SHBA-së ndaj çdo vrasjeje.

Protestat në Teheran dhe në dhjetëra qytete të tjera të Iranit, të cilat kanë filluar para dy javësh, janë reagim i qytetarëve ndaj inflacionit në rritje dhe kolapsit ekonomik të vendit. Këto janë protestat më të mëdha pas protestave pas vdekjes në burg të Mahsa Aminit të viteve 2022-2023.

Autoritetet e Iranit raportuan për të paktën 42-62 të vdekur dhe mbi 2,000 të rrestuar.

Lideri Suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, i quajti protestuesit si “mercenarë të huaj”.

Autoritetet iraniane e ndërprenë internetin me qëllim që të pengojnë qarkullimin e informacioneve dhe të organizimit të protestuesve.

Por, disa video nga protestat janë kontrabanduar përmes Starlink. Ndër të tjera, është shpërndarë edhe video ku shihet një protestues duke e vendosur në një shtatore të lartë flamurin e Mbretërisë së Iranit, i cili është hequr nga përdorimi në vitin 1979, kur ishte rrëzuar nga pushteti Mbreti Reza Pahlavi dhe në pushtet kishte ardhur Ajatollahu Homeini. 

(r.m.)

Comment

*