“Jetova aq sa punova” Volfang Gëte
Nga Fuat Memelli
Janë disa regjisorë të Televizionit Shqiptar që me punën dhe talentin e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyera në krijimtarinë televizive. Po përmend disa nga brezi i vjetër të cilët i kam njohur nga afër në vitet që punoja në TVSH si: Mevlan Shanaj, Albert Minga, Vera Grabocka, Osman Mula, Esat Teliti, Myzejen Nepravishta, Gjergj Rita, Leonard Gjata, Dhoksi Teta e Kujtim Meçe.
(Të më falë ndonjëri që nuk më kujtohet emri. ) Kësaj pjejade i përket edhe regjisori i njohur, Jani Tane. E takova këto ditë në Toronto ku kishte ardhur te vajza, ndërsa unë te djemtë. Biseduam gjatë. Kujtuam me mall shokë e shoqe të TVSH-së. E ngacmova për të më thënë diçka për punët e tij në Shqipëri dhe në emigracion, ku me kamer në dorë vazhdon të punojë si një djalë i ri, megjithëse është në moshën 75 vjeçare dhe e ka mbuluar bora e thinjave. Të shumta janë punët e tij në TVSH si dokumentarë, konkurse dhe gjini të tjera artistike si teletregime,koncerte të Vitit të Ri dhe katër filma artistikë si “Gjyshi partizan”, “Edhe ne luftuam”, “Ngjarje në liqen”, “Prindër të vegjël” dhe telekomedia “Pak fresk sonte”, punë të cilat janë në arkivin e RTSH-së.
Në vitin 1998 emigron në Itali, duke iu bashkëngjitur familjes. Për mbijetesë në fillim bën punë të thjeshta si portjer nate në hotel,ndihmës kuzhinier, etj. Bën përpjekje për të gjetur mbështetje në kanale televizive,provon si telekronist në një kanali tv në Perugia,”TEF” “Enrico Fermi” ku i transmetojnë telereportazhin “ Katër stinët “ e A. Vivaldit, xhiruar me detaje të çdo stine në qytetin Assisi, ku ka jetuar e punuar. Realizon dokumentarë për piktorët e qytetit . Bashkëpunon me studiuesin e antikitetit, Kol Marku dhe realizon dokumentarët “ Trokitje në Iliri” për mbretin Genti i cili ka varrin monomental në Gubbio. Vazhdon me dokumentarë të tjerë siç është ai për etruskët në Orvieto dhe Tarquinia, atë me titull “Bujtina,e fundit”, kushtuar ndarjes nga jeta në hotel “ Brufani” në Perugia, të Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit. Perveç lëvrimit të gjinisë së dokumentarëve, ka xhiriuar dasma dhe ngjarje të komunitetit shqiptar në Itali. Në vitin 2006 krijon studjon e tij private me emrin” Nostalgjia” dhe bën vetë regjisorin, operatorin, montazhierin, folësin dhe formulimin muzikor. “ Për këtë më vlejti përvoja e punës 28 vjeçare në TVSH”, thotë Jani.
Kohët e fundit ka disa projekte e po përpiqet t’i realizojë dokumentarin “Gjuha e Skënderbeut në Kalabri” në komunën e Frashinetos dhe një mbrëmje gala me artistët dhe intelektualët e suksesshëm të biznesit në Ontario të Kanadasë. Bashkëpunon me Shoqatën Shqiptaro- Canadeze në Toronto, etj.
Duke biseduar në studjon e tij, pamë telereportazhin “ Artisti i heshtur” kushtuar piktorit dhe skulptorit shqiptar të njohur, Hytbi Tarelli, me origjinë nga fshati Braçanj i Devollit, ndarë nga jeta pak vite më parë.
Si çdo emigrant mban lidhje me Shqipërinë. Kur shkon në Tiranë takon shokët e vjetër të TVSH- me të cilët ka punuar për vite me rradhë. Si djalë “ pe Korçe” shkon në qytetin ku lindi dhe u rit. “ Magneti” i televizionit e tërheq dhe shkon takon miq të tij në TVSH “ Korça”. Bisedon për punët e tyre dhe si “ usta” i vjetër i kësaj fushe i jep mendime. Para tre vjetësh i fali këtij televizioni 12 dokumentarë të tij duke ia dorëzuar ish drejtorit, Muharrem Meko. Vjet ishte përsëri në Korçë dhe takoi Muharremin dhe drejtorin e ri të TVSH së këtij qyteti, ish studentin e tij, Sadush Ylli.
Me përkushtimin e tij për punën, Jani Tane ka bërë të vetën thënien e Romain Rolland: “Gjithë gëzimi i jetës është puna krijuese. Të krijosh do të thotë të vrasësh vdekjen.”
Toronto, 2 Maj, 2024