Reporterët pa Kufij konstaton përkeqësim të lirisë së medias në Kosovë

Paris, 2 maj 2025 – Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Raporti i Reporterëve pa Kufij gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.

Verën e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi një ligj për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili, veç tjerash, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi këtë ligj, pasi gjeti se disa nene të ligjit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Reporterët pa Kufij vlerëspo se ligji për KPM-në që u shpall jokushtetues “rrezikonte edhe më tej të pengojë pavarësinë” e KPM-së.

Në fillim të këtij viti, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, u kritikua për bojkotimin e mediave. Vetëvendosje kishte thënë se nuk po bojkotonte mediat, por po “përjashtonte” tri kanale specifike dhe se një vendim i tillë “nuk cenonte peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

Ajo nuk përmendi emra, por në reagimet e mëhershme të organizatave mediatike thuhej se bëhej fjalë për disa nga televizionet e mëdha në vend, sikurse Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7.

“Para zgjedhjeve të përgjithshme, disa media private u bojkotuan nga Qeveria, e cila gjithashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim sa i përket qasjes në informacione publike, veçmas në gjuhën e tyre”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ata, sipas raportit, “akuzohen padrejtësisht për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”.

“Në vitet e fundit, shumë gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjete kriminale dhe po ashtu për shkak të tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë kanë qenë cak i përgjimeve. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, ato rrallë rezultojnë me ndjekje penale”, thuhet në raport.

Gjatë vitit 2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i regjistroi 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Por, më 2023 ishin shënuar 53 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Ku renditen vendet tjera të rajonit?

Shqipëria renditet në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur u vlerësua me pozitën e 99-të.

Raporti gjeti se peizazhi mediatik në Shqipëri – ashtu si në Greqi, e cila renditet e 89-ta, përshkruhet nga konfliktet e interesit.

Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet më së miri, në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta.

(r.m.)

Comment

*