Rezultatet e balotazhit në Kosovë: Të gjitha partitë – fituese dhe humbëse

Prishtinë, 9 nëntor 2025 – Në Kosovë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur rezultatet preliminare të rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli fituese në katër komuna (Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Obiliq).

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi në tri komuna (Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik).

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi në pesë komuna (Prishtinë, Pejë, Viti, Dragash dhe Junik).

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) doli fituese në katër komuna (Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec).

Lista Serbe fitoi edhe në komunën e fundit me shumicë serbe (Kllokot).

Partia Demokratike Turke e Kosovës (PDTK) fitoi në të vetmen komunë me shumicë turke (Mamushë).

Të gjitha partitë politike që kishin kandidatë në këtë rund të zgjedhjeve për kryetarë të komunave gjetën arsye për të festuar ose sepse e fituan ndonjë komunë më shumë ose sepse arritën të mbajnë pushtetin në komunat që i kanë udhëhequr deri më tani.

LVV festoi sepse, përkundër përballjes me bllokun e tri partive të tjera në shumicën e komunave, arriti të fitojë në Mitrovicën e Jugut, në Fushë Kosovë dhe në Obiliq dhe ta mbajë pushtetin në Gjilan. Por, ajo e humbi garën për kryetarë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Vushtrri, Viti, Rahovec e Kaçanik. Në të gjitha komunat, me përjashtim të Vushtrrisë, kundërkandidatët e LVV-së (PDK-së, LDK-së dhe AAK-së) garuan me forca të përbashkëta të këtyre tri partive.

PDK-ja iu gëzua ruajtjes së qeverisjes në Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik, por e humbi Mitrovicën e Jugut, ku ka qeverisur deri më tani.

LDK-ja arriti të ruajë pushtetin në Prishtinë, Pejë, Viti, Dragash dhe Junik), por i humbi Fushë Kosovën dhe Obiliqin. Ajo e cilësoi si fitore të madhe të saj mbajtjen e pushtetit në Prishtinë, ku do të bashkëqeverisë bashkë me PDK-në dhe AAK-në.

Ndërkaq AAK-ja arriti t’i mbajë të katër komunat që i ka qeverisur deri më sot (Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec).

Në rezultatet e KQZ-së nuk janë përfshirë votat e dërguara me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat nuk janë numëruar ende. Por, sipas rezultateve praprake të publikuara, është pothuajse e pamundur që këto vota të shkaktojnë ndonjë ndryshim.

Një analizë më e detajuar e rezultateve të të dyja rundeve të zgjedhjeve lokale, sidomos në komunat më të mëdha, shpie në përfundimin e asnjëra nga katër partitë e mëdha shqiptare nuk kanë arsye të fetojnë.

LVV, ndonëse fitoi në Mitrovicë të Jugut dhe në Gjilan, dështoi në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. PDK arriti ta mbajë Prizrenin, por e humbi Mitrovicën e Jugut. LDK e ruajti Prishtinën, qendrën kryesore politike e ekonomike të Kosovës, por i humbi dy komuna të vogla me fuqi të konsiderueshme ekonomike, Fushë Kosovën dhe Obiliqin.

Fituese e vetme mund të konsiderohet vetë Lista Serbe. Kjo parti që kontrollohet nga Beogradi zyrtar, fitoi në të gjitha komunat me shumicë serbe, dhjetë sosh.

Kush cilat komuna do t’iudhëheqin në mandatin e ardhshëm?

Bazuar në rezultatet e dy rundeve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, LVV dhe LDK do të qeverisin secila nga shtatë komuna, PDK në gjashtë komuna, AAK në pesë komuna, ndërsa Lista Serbe 10 komuna.

LVV: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë, Obiliq, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.

LDK: Prishtinë, Pejë, Viti, Dragash, Junik, Istog dhe Lipjan.

PDK: Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Ferizaj, Skënderaj dhe Han i Elezit.

AAK: Gjakovë, Suharekë, Klinë, Rahovec dhe Deçan.

NISMA: Malishevë.

Ininiciativa e Ramiz Lladrovcit: Drenas.

Lista Serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot.

Partia Demokratike Turke e Kosovës: Mamushë

(r.m.)