Kabul /Uashington, 27 gusht 2021 – Evakuimet nga Afganistani rifilluan me urgjencë të premten, një ditë pasi dy shpërthime vetëvrasëse shënjestruan mijëra njerëz të dëshpëruar që po përpiqen të ikin nga kontrolli i talebanëve dhe vranë më shumë se 100 veta. Shtetet e Bashkuara thonë se sulme të tjera mund të priten përpara afatit të së martës për largimin e trupave të huaja, duke i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës.
Ndërsa thirrja e ezanit jehonte nëpër Kabul bashkë me gjëmimin e avionëve që niseshin, turma e shqetësuar jashtë aeroportit ishte më e madhe se kurrë. Në një vendndodhje, dhjetëra talebanë të armatosur rëndë rreth 500 metra larg aeroportit po pengonin lëvizjen e njerëzve drejt aeroportit.
Sulmet e së enjtes pranë aeroportit ndërkombëtar të Kabulit, lanë pas vetes të paktën 95 afganë dhe 13 ushtarë amerikanë të vrarë, thanë zyrtarët afganë dhe amerikanë. E enjtja shënoi ditën më vdekjeprurëse për forcat amerikane në Afganistan që nga gushti i vitit 2011. Një zyrtar tha të premten se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë më i lartë.
Në një fjalim emocional, presidenti Joe Biden fajësoi për sulmet degën e grupit Shteti Islamik në Afganistan, shumë më radikal se militantët talebanë që morën pushtetin më pak se dy javë më parë.
“Ne do t’i shpëtojmë amerikanët; ne do t’i nxjerrim aleatët tanë afganë dhe misioni ynë do të vazhdojë”, tha presidenti Biden.
Por, pavarësisht trysnisë për të zgjatur afatin e së martës, ai ju referua kërcënimeve për sulme terroriste si një arsye për t’iu përmbajtur planit të tij.
Talibanët, morën sërish kontrollin mbi Afganistanin dy dekada pasi u rrëzuan pas pushtimit të vendit nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit, këmbëngulin për respektimin e afatit. Administrata e ish presidentit Donald Trump në shkurt të vitit 2020, arriti një marrëveshje me talebanët që kërkonte ndaljen e sulmeve ndaj amerikanëve në këmbim të largimit të të gjithë trupave dhe kontraktorëve amerikanë deri në muajin maj. Presidenti Biden njoftoi në prill se do t’i largonte trupat deri në shtator.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara thanë të enjten tha se më shumë se 100,000 njerëz janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga Kabuli, rreth 1000 amerikanë dhe dhjetëra mijëra afganë të tjerë po përpiqen të largohen në një nga transportimet ajrore më të mëdha të historisë. Gjenerali Frank McKenzie, shefi i Komandës Qendrore amerikane që mbikëqyrë evakuimin, tha të enjten se rreth 5,000 njerëz po prisnin në aeroport.
Por, shumë të tjerë janë nisur drejt aeroportit. Sulmet e së enjtes e bënë Jamshadin, i cili dha vetëm emrin, të shfaqej herët të premten me gruan dhe tre fëmijët e tij të vegjël, duke shtrënguar në dorë një ftesë nga një vend perëndimor që ai nuk donte ta përmendte. Kjo ishte përpjekja e tij e parë për t’u larguar. “Pas shpërthimit vendosa që të përpiqem sepse kam frikë se tani do të ketë më shumë sulme dhe mendoj se tani më duhet të largohem”, tha ai.
Skenat në aeroport, me njerëz të zhytur deri në gjunjë në ujërat e zeza dhe familjet që ngritin dokumente, madje edhe fëmijë të vegjël drejt trupave amerikane pas telave me gjemba, kanë tmerruar shumëkënd në gjithë botën, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar njerëzit të ikin.
Por, ato shanse po zbehen shpejt për shumë njerëz. Disa aleatë të amerikanëve thanë se po u japin fund përpjekjeve për evakuim, pjesërisht për t’u dhënë kohë Shteteve të Bashkuara të përfundojë evakuimet para se të largojë 5,000 trupat e saj deri të martën.
Britania tha të premten se evakuimet e saj nga Afganistani do të përfundojnë brenda disa orësh dhe qendra kryesore britanike e përpunimit të të dhënave për afganët e kualifikuar për evakuim, është mbyllur. Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace i tha kanalit Sky News se do të ketë “tetë ose nëntë” fluturime evakuimi të premten, dhe ato do të jenë të fundit. Trupat britanike do të largohen gjatë disa ditëve të ardhshme.
Qeveria spanjolle tha se i ka dhënë fund operacionit të saj të evakuimit. Ministri francez i çështjeve evropiane, Clement Beaune, tha në radion franceze Europe 1 se Franca do të përfundojë operacionin e saj të evakuimit “së shpejti”, por mund të kërkojë ta zgjasë atë deri pas natës së të premtes.
Mijëra afganë, veçanërisht ata që kishin punuar me SHBA-të dhe vendet e tjera perëndimore, tani janë fshehur nga talebanët, nga frika e hakmarrjes pavarësisht pohimit të grupit për amnisti të plotë. Grupi militant thotë se është bërë më i moderuar që nga sundimi i tij i ashpër nga 1996 deri në vitin 2001, kur kryesisht i kufizoi gratë në shtëpitë e tyre, ndaloi televizionin dhe muzikën dhe kreu ekzekutime publike.
Por afganët në Kabul dhe gjetiu, kanë raportuar se disa pjesëtarë të grupit po i ndalojnë vajzat të shkojnë në shkollë dhe po kërkojnë derë më derë ata që kishin punuar me forcat perëndimore.
Askush nuk e di se sa efektivë do të jenë talebanët në luftimin e ekstremistëve sunitë të IS-it, të cilët kanë lidhje me degën më të njohur të grupit në Siri dhe Irak dhe kanë kryer një seri sulmesh brutale në Afganistan, duke vënë në shënjestër kryesisht pakicën myslimane shiite
(Zëri i Amerikës)