Rihapet vendkalimi kufitar në Glloboqicë, pas lokalizimit të zjarrit në anën e Maqedonisë së Veriut

Prishtinë / Shkup, 15 gusht 2025 – Vendkalimi kufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut në Glloboqicë / Jazhincë është rihapur rreth një orë pasi ishte mbyllur për qarkullim për shkak të zjarrit në afërsi të rrugës pranë fshatit Jazhincë, në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Qendra për Menaxhimin Kufitar bëri të ditur se zjarret janë lokalizuar dhe ky vendkalim kufitar është e hapur për qarkullim të lirë të automjeteve dhe njerëzve.

Edhe Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se vendkalimi kufitar në Glloboqicë /Jazhincë dhe rruga drejt Kosovës janë rihapur për qarkullim.

Vendkalimi kufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut në Glloboqicë / Jazhincë ishte mbyllur rreth orës 15:40. Mbyllja ishte bërë me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Shtabit të Krizave të Maqedonisë së Veriut, për shkak të një zjarri të madh pranë rrugës në fshatin Jazhincë, në zonën kufitare me Kosovën. Autoritetet maqedonase vlerësuan se shpërthimi i këtij zjarri përbënte rrezik për udhëtarët në këtë rrugë.

(r.m.)