Rikthimi i fantazive me ekstremistë islamikë në Tiranë

Nga Ruben Avxhiu

Pastrimi i selisë blu, pas dëmeve të 8 janarit.

Disa vite më parë, kur Sali Berisha ishte kryeministër, e mbrojta në mënyrë të përsëritur nga kundërshtarë politikë e kritikë që donin ta paraqisnin si të lidhur me ekstremizmin islamik deri edhe me Ben Ladenin.

Akuzat përkonin me një teori konspirative serbe (të përqafuar më vonë edhe nga maqedonas) sipas së cilës Ben Ladeni kishte vizituar Shqipërinë në vitet 1990.

Synimi ishte për të damkosur Berishën në sytë e autoriteteve amerikane natyrisht të ndjeshme për çdo lajm lidhur me kryeterroristin në kërkim, pas sulmeve tragjike të 11 Shtatorit.

Për ata që u sulmuan nga shkrimet e mia – nuk do të përmend emra këtu – i vetmi shpjegim për çfarë kisha shkruar ishte se paguhesha nga Berisha këtu në New York. Në fakt, shkrimet e mia udhëhiqeshin jo vetëm nga nevoja për të mbështetur të vërtetën por edhe nga ndërgjegjësimi se këto lloj akuzash më shumë se Berishën do të përbaltnin shqiptarët dhe kauzën shqiptare.

Jo vetëm që Berisha nuk ishte një fundamentalist islamik, por shumë nga mbështetësit më të fortë të tij në atë kohë ishin katolikë. Po përmend këtu vetëm Jozefina Topallin, të cilën ai vetë e kishte emëruar në krye të Parlamentit të Shqipërisë.

Akuzat për Berishën si islamist i skajshëm dihej se nuk do të çonin askund sepse ishte e lehtë të vërtetohej sesa të pathemelta ishin. Nga ana tjetër, aludimet për udhëtime të Ben Ladenit në Shqipëri dhe nxitja e konfliktit fetar mes shqiptarëve për arsye politike mund të bëheshin shumë të dëmshme.

Edhe sot e kësaj dite serbët e maqedonasit përpiqen që t’i paraqesin konfliktet e armatosura në vitet 1996-2001 si luftëra fetare, ku shtetet janë përplasur me organizata të ngjashme me Al-Kaidën dhe ISIS-n. Këto akuza janë hedhur poshtë disa herë, por sa herë vjen një gjeneratë e re politikanësh në Perëndim, ata ushqehen me teori të tilla e duhen sqaruar nga e para. Një punë që bëhet gjithnjë e më e vështirë me kalimin e viteve.

Për arsyet e përmendura më e lart e të tjera, ishte e dëshpërueshme për mua të shihja ish-kryeministrin Sali Berisha të ripërtërinte akuza të ngjashme me islamistë ekstremistë, si ato që dikur përdoreshin kundër tij, në betejën politike që po bën me Lulzim Bashën.

Ashtu si atëhere, akuza nuk do të shkojë larg. Basha dhe vetë Berisha, tani dhe atëhere, mbeten mbështetës të vendosur të rrugës euro-atlantike të Shqipërisë, të harmonisë fetare në vend, dhe të çdo mase që godet terrorizmin e çdo forme përfshi edhe atë fetar.

Nëse Berisha ka ndonjë emër konkret, le t’ia bëjë të ditur autoriteteve, madje edhe vetë zotit Basha, i cili ka arsye më shumë sesa Berisha që të shqetësohet nga çdo ekstremist me agjenda ekstreme fetare në radhët e tij. Basha vetë, madje, nisur nga këto akuza të Berishës, mund të marrë nismën për të vetuar rojet e sigurisë së punësuar. Ka disa tema që janë më të rëndësishme se lufta politike mes tyre.

Mirëpo, akuzat e teoritë konspirative përgjithësuese dhe të varfra në detaje për terrorizëm fetar janë të rrezikshme. Ato janë fishkëllima për t’i tërhequr vëmendjen armiqve të shqiptarëve dhe tregëtarëve të frikës politike të specializuar në fantazira me myslimanë ekstremistë shqiptarë që vijnë dhe kërcënojnë Europën dhe fqinjët tanë të krishterë. Jo më kot, ato janë përsëritur menjëherë me gëzim nga komentues antishqiptarë në Maqedoninë Veriore. Edhe nëse gjejnë një kënd interesi në median amerikane si mbase imagjinon e shpreson dikush në rrethin e Berishës, ato nuk do të sjellin asnjë përfitim afatgjatë për atë vetë, por do të përdoren mesiguri në lobimet kundër shqiptarëve.

Ato nuk do ta ndihmojnë zotin Berisha dhe demokratët që po e përkrahin e as nuk do ta dëmtojnë vërtet zotin Basha. Është një strategji e dështuar që duhet braktisur me kujdes, e ata që e kanë propozuar duhen trajtuar me dyshim e mënjanuar. ”Dashamirës” të tillë rrezikojnë që ta dëmtojnë dhe damkosin Berishën shumë më tepër se akuzat dhe përkrahësit e Bashës.