Riparimi i Urës së Krimesë pritet të zgjasë me muaj

Moskë, 14 tetor 2022 – Qeveria e Rusisë ka urdhëruar kontraktorët që të përfundojnë punimet në Urën e Krimesë – të vetmen që e lidh Rusinë me Gadishullin ukrainas të Krimesë – deri në korrik të vitit 2023.

Moska e ka aneksuar këtë Gadishull më 2014.

Ura është dëmtuar nga një shpërthim më 8 tetor, dhe sipas zyrtarëve, të paktën tre persona kanë vdekur.

Shpërthimi ka shkaktuar dëme në segmentin rrugor dhe atë hekurudhor të urës.

Rusia e ka fajësuar Ukrainën për sulmin, mirëpo Kievi nuk ka thënë se ka qenë mbrapa tij.

Ura 12-kilometërshe, më e gjata në Evropë, ka shërbyer si rrugë kyçe për furnizimin e forcave ruse, pas nisjes së luftë në Ukrainë, mirëpo makineritë e rënda tani nuk mund ta përdorin atë.

Megjithatë, një pjesë e segmentit rrugor është lëshuar për qarkullim për makinat e lehta.

Kjo urë është hapur nga presidenti rus, Vladimir Putin më 2018, katër vjet, pas vendimit të Moskës për aneksim të Krimesë.

Vetë Putin e ka konsideruar sulmin e së shtunës si “akt terrorizmi” nga ana e Ukrainës.

Në Ukrainë është raportuar për festime të mëdha pas sulmit, mirëpo Qeveria në Kiev ka mohuar të ketë qenë e përfshirë në sulm.

Sulmet masive ajrore të Rusisë në disa qytete të Ukrainës, më 10 tetor, janë përshkruar nga Moska si kundërpërgjigje për sulmin në Urën e Krimesë.

Si pasojë e këtyre sulmeve kanë vdekur disa persona.

Megjithatë, analistët perëndimorë kanë thënë se autoritetet ruse janë përgatitur me javë për të kryer këto sulme në qytetet ukrainase.

(REL)