Avokati Kieran Both

Shërbimi i Nënshtetësisë dhe Emigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS) ka përditësuar politikat e tij me synimin që të qartësojë se kur një vizë emigrimi konsiderohet “e disponueshme” për efekt të llogaritjes së moshës sic parashikohet nga Ligji për Mbrojtjen e Statusit të Fëmijës (CSPA) për raste të caktuara.
Ligji për Mbrojtjen e Statusit të Fëmijës (CSPA) u lejon disa përfituesve të rinj të konsiderohen “fëmijë” për qëllime emigracioni. Për kategoritë preferenciale të emigrimit që bazohen në bashkimin familjar, punësimin, ose në programin e vizave emigruese të shumëllojshmërisë (lotaria e vizave), CSPA-ja ofron një mënyrë për të llogaritur moshën e disa përfituesve të rinj, e cila bazohet në datën kur një vizë emigruese bëhet e disponueshme. Për të përfituar nga kjo llogaritje, një person duhet të kërkojë të marrë statusin e banorit të përhershëm të ligjshëm (LPR) brenda një viti nga momenti kur vizat emigruese bëhen të disponueshme.
Më 8 gusht 2025, USCIS-i nëpërmjet një njoftimi zyrtar bëri të ditur se për të përcaktuar moshën e një aplikanti bazuar në Ligjin e Mbrojtjes së Statusit të Fëmijës, për të gjitha aplikimet për ndreqje statusi (për marrje të green card-ës), të paraqitura më ose pas datës 15 gusht, 2025, do të bazohej ekskluzivisht në tabelën “Final Action Dates” (data e veprimeve përfundimtare) të Buletinit të Vizave. Tabelën e Buletinit të Vizave mund ta gjeni këtu: https://travel.state.gov/content/travel/en/legal/visa-law0/visa-bulletin.html
Ky ndryshim në politikën e USCIS-it vazhdon të lejojë përdorimin e tabelës së Buletinit të Vizave “Dates for Filing” për të përcaktuar se kur mund t’i paraqitet USCIS-it një aplikim për ndreqjen statusi, por nuk lejon më përdorimin e tabelës “Dates for Filing” kur bëhet fjalë për të llogaritur moshën e një aplikanti sic e parashikon Ligji për Mbrojtjen e Statusit të Fëmijës.
Nga data 14 shkurt, 2023 deri më 14 gusht, 2025, USCIS lejonte përdorimin e tabelës “Dates for Filing” për të përcaktuar disponueshmërinë e vizave. USCIS do të vazhdojë të pranojë moshën e një aplikanti sipas CSPA-së të llogaritur duke përdorur tabelën “Dates for Filing”, për të gjitha aplikimet për ndreqje statusi që janë paraqitur sic duhet (d.m.th., janë pranuar nga USCIS-i) para datës 15 gusht, 2025. Për të gjitha aplikimet për ndreqje statusi të paraqitura më ose pas datës 15 gusht, 2025, për llogaritjen e moshës sipas CSPA-së, USCIS-i do të bazohet në tabelën “Final Action Dates”.
Zakonisht, mosha sipas CSPA-së llogaritet duke i zbritur moshës suaj në datën kur u vu në dispozicionin tuaj një vizë emigruese, numrin e ditëve gjatë të cilave peticioni juaj ka qenë në pritje. Ky ndryshim politikash ndikon drejtpërdrejt tek elementi i “disponueshmërisë së vizës” në llogaritjen e moshës sipas CSPA-së. Data e “disponueshmërisë së vizës” është data më e vonshme nga dy opsionet: (1) data e miratimit të peticionit ose (2) data kur viza u bë e disponueshme sipas buletinit të vizave. Sipas ndryshimit të ri, data kur një vizë konsiderohet e disponueshme do të përcaktohet duke u bazuar në tabelën “Final Action Dates”.
Përveç llogaritjes së moshës, elementi i “disponueshmërisë së vizës” luan një rol dytësor kur duhet vendosur nëse aplikanti i përmbush ose jo kriteret për të përfituar nga CSPA-ja. Që të mund të përfitojë “reduktim” të moshës sipas CSPA-së, veç të tjerash aplikanti duhet të ketë paraqitur kërkesë për green card brenda një viti nga momenti kur vizat u bënë të disponueshme.
Ky ndryshim politikash rikthen pasigurinë proceduriale që ekzistonte para ndryshimit të vitit 2023, kur lejohej përdorimi i tabelës “Dates for Filing” për të përcaktuar “disponueshmërinë e vizës.” Tani përsëri, mosha e aplikantit sipas CSPA-së nuk mund të përcaktohet deri në momentin kur një vizë bëhet e disponueshme në tabelën “Final Action Dates.” Paraqitja e një aplikimi për ndreqje statusi (green card) për rastet që kanë të bëjnë me CSPA-në duke përdorur tabelën “Dates for Filing” (kohë kur ende nuk ka vizë të disponueshme), krijon nevojën për një vlerësim të përafërt për të përcaktuar nëse mosha e aplikantit sipas CSPA-së do të vazhdojë të mbetet nën 21 vjeç edhe më vonë pra edhe në momentin kur viza të bëhet e disponueshme në tabelën “Final Action Dates.” USCIS-i e pranon këtë si rrezik në njoftimin zyrtar për përditësimin e politikës në fjalë, por thekson se kjo pasiguri ka qenë gjithnjë e pranishme edhe kur janë paraqitur aplikime për procesim konsullor përpara se të kishte vizë të disponueshme në tabelën “Final Action Dates.”
Më 14 shkurt 2023, kur USCIS filloi të kërkonte përdorimin e tabelës “Dates for Filing” për të përcaktuar moshën sipas CSPA-së, disa aplikantë menjëherë e humbën mundësinë për ndreqje statusi, pasi nuk përmbushnin më kërkesën për paraqitje të aplikimit për banim të përhershëm të ligjshëm brenda një viti nga data e re e disponueshmërisë së vizës. Më pas, USCIS-i u përpoq ta ndreqë njëfarësoj këtë problem duke përfshirë më shumë arsye në rastet e faljeve për shkak “rrethanash të jashtëzakonshme.” Megjithatë, që atëherë ka pasur raste të Tjera fëmijësh që nuk kanë mundur të përfitojnë nga reduktimi i moshës sipas CSPA-së për shkak se kanë paraqitur kërkesë duke iu referuar tabelës “Dates for Filing.” Tani, disa nga këta aplikantë mund t’i përmbushin kriteret për përfitim sipas CSPA-së, kur mosha e tyre sipas CSPA-së të rillogaritet duke përdorur tabelën “Final Action Dates.”
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com