Rita Ora e Yll Limani publikojnë projektin e përbashkët “All Natural” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, dhe njëri nga këngëtarët shqiptarë më prodhues, Yll Limani, e publikuan të premten një projekt të përbashkët muzikor.

Kënga është titulluar “All Natural”, sipas këngë së fundit të Ritës. Ylli e ka shkruar pjesën e tij të këngës. Ajo është një version dygjuhësh – anglisht dhe shqip.

Rita ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin me Yllin, duke theksuar lidhjen e saj të fortë me Kosovën.

“Ylli dhe unë jemi të dy shqiptarë nga Kosova, dhe kjo lidhje është shumë e fortë – është në historitë tona, në familjet tona, në gjuhën tonë”, ka thënë Rita Ora, transmeton labeli “Three60 Music”, pjesë e të cilit është Ylli.

“Këndimi i tij [Yllit] në gjuhën shqipe i dha këngës aq shumë autenticitet dhe shpirt. ‘All Natural’ ka qenë gjithmonë për të qenë vetvetja, pa komplekse, por ky version ndihet edhe më personal. Është për identitetin, krenarinë dhe bukurinë e origjinës tënde”, ka thënë Rita.

Ndërkaq Limani e ka cilësuar punën me Ritën si “mësim mbi artin e të qenit autentik”.

“Rita është një forcë e natyrës. Të punosh me të është privilegj dhe mësim mbi artin e të qenit autentik”, ka thënë ai.

Ky bashkëpunim është pritur me shumë kuriozitet nga fansat e të dy artistëve.

(r.m.)