Prishtinë, 1 mars 2026 – Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, e ka përmbyllur vizitën në Uashington DC me takime të nivelit të lartë në Departamentin e Energjisë dhe në Departamentin e Shtetit.
Ministria njoftoi për përmbajtjen e takimeve të ministres Rizvanolli me Ndihmëssekretarin në detyrë të Zyrës për Çështje Ndërkombëtare në Departamentin e Energjisë, Tommy Joyce, dhe me Zëvendës ndihmëssekretarin në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, z. Daniel Lawton.
Ministria, , në një njoftim për media, bëri të ditur se në këto takime është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e gazifikimit të thëngjillit dhe në sektorin minerar.
Në njoftim thuhet se në takimin e ministres Rizvanolli me Ndihmëssekretarin në detyrë, Tommy Joyce, është diskutuar për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërqeveritar dhe me kompani amerikane, duke pasur parasysh objektivat e përbashkëta dhe projektet aktuale në Kosovë.
“Në takim u diskutua edhe për teknologjinë e gazifikimit të thëngjillit, ku Departamenti i Energjisë së Shteteve të Bashkuara dhe kompanitë amerikane kanë përvojë dhe rezultate të dëshmuara”, thuhet në njoftim.
Ministrja Rizvanolli e ka vlerësuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësimin e Evropës nga gazi rus, duke theksuar se kjo do të shtonte sigurinë energjetike edhe në Kosovë.
“Ministrja Rizvanolli shprehu përkrahjen për punën që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po bën për të ndihmuar pavarësimin e Evropës nga gazi rus dhe theksoi se megjithëse Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit, edhe Kosova ndikohet nga zhvillimet në rajon e Evropë përmes ndikimit në çmime të importit, prandaj siguria energjetike e secilit shtet evropian do të thotë më shumë siguri edhe për Kosovën”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ndërkaq, në qendër të takimit me Zëvendës ndihmëssekretarin në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, z. Daniel Lawton, ka qenë thellimi i bashkëpunimit në sektorë me rëndësi strategjike në Kosovë, si energjia dhe minierat.
“Në takimin me Zëvendës ndihmëssekretarin në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, z. Daniel Lawton u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes dy vendeve që bazohet në parime e vlera të përbashkëta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në sektorë me rëndësi strategjike, si energjia dhe minierat”, thuhet në njoftim.
Ministria bëri të ditur se minsitrja Rizvanolli ka kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e sektorit minerar në Kosovë.
“Ministrja theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë përqendrim të veçantë gjatë këtij mandati edhe në sektorin minerar, ku me këtë rast kërkoi përkrahje dhe thellim të bashkëpunimit edhe në këtë fushë, paralelisht me bashkëpunimin e shkëlqyer në sektorin e energjisë”, thuhet në njoftim.
Ministria Rizvanolli e ka vlerësuar përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, duke theksuar vendimin e administratës së Presidentit Trump për ta vazhduar Programin Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjëçarit (MCC) për Kosovën.
Ministrja Rizvanolli ka marrë pjesë në Samitin Transatlantik për Sigurinë e Gazit në Washington DC, me ftesë të kryesuesit të Këshillit Kombëtar për Dominimin Energjetik (NEDC), Sekretarit të Brendshëm të SHBA-së, Doug Burgum, dhe nënkryesuesit, Sekretarit të Energjisë, Chris Wright.
Në fjalën e saj në samit, ajo e ka vlerësuar rolin udhëheqës të SHBA-së në forcimin e pavarësisë dhe sigurisë energjetike të Evropës. Ajo ka theksuar se “bashkëpunimi ndërmjet vendeve partnere që ndajnë vlera demokratike është vendimtar për një sektor energjetik të sigurt”.





(r.m.)