Prishtinë, 31 korrik 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë shpjeguar të dielën detaje lidhur me Marrëveshjen Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, që u nënshkrua të martën në Uashington.
“Me marrëveshje përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit janë pajtuar që t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarë. Ky është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës së çliruar. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta mbështesë programit 34.7 milionë dollarë në bashkëfinancim duke e quar kësisoj vlerën totale në 236.7 milionë dollarë”, ka shpjeguar Kurti, në konfefrencë për medie.
Sipas tij, investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës.
“Investimet e programit kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe do t’i përfshijë tri projekte: e para është rezerva apo bateritë me kapacitet 340 megavat, e dyta është zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe e treta është projekti i institucionit amerikan të katalizatorit në zhvillim. Paralelisht zhvillohen kuadro në fushën e energjisë si dhe nxiten investime”, është shprehur Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se sipas llogarive paraprake të MCC-së, ky program do t’i kursejë sistemit elektroenergjetik të Kosovës së paku 15 milionë euro në vit. Ajo ka thënë se kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e lartë kur të rriten çmimet e energjisë në berzë.
“Përdorimi i baterisë do të ndikojë në një masë në uljen e importit të shtrenjtë. Një kalkulim preliminar i MCC-së është që rezervat e energjisë do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit. Por, kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe, kur të rriten çmimet e energjisë, siç po ndodh këto ditë”, ka thënë ajo.
Ajo ka shpjeguar se cilat do te jenë efektet e pritshme të baterive për depozitimin e rezervave të energjisë.
“Bateritë shërbejnë si rezerva të energjisë që do të përdoren për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës, si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Këtë shërbim aktualisht Kosova e kontrakton në tregun e rezervave të Shqipërisë, por shpesh ndodhë të kontraktojmë edhe tregun evropian me çmime akoma më të larta kur nevoja tejkalon ofertën”, ka thënë ajo.
Ministrja Rizvanolli ka thënë se zbatimi i projektit do të fillojë pas 18 deri 24 muajsh.
“Puna nuk do të fillojë menjëherë. Gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushtet, do të bëhen analiza shtesë. Lokacioni për bateritë veçse është caktuar, por do të vazhdojë puna në parapërgatitjet për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni partner. Me fillimin e zbatimit të projektit, mund të fillojë prokurimi i baterive, po flasim për 2-3 vjet deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara”, ka thënë ajo.
Ministrja Rizvanolli ka thënë se qeveria do të ndërmarrë së shpejti masa për rritjen e efiçiencës së energjisë, si edhe për subvencionimin e konsumatorëve që shfrytëzojnë burime të tjera të energjisë për ngrohje gjatë dimrit.
(r.m.)