Rohde: Kjo është marrëveshja më e mirë, tash për tash. Njohja reciproke është faza përfundimtare

Prishtinë, 15 mars 2023 – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, që në takimin e tyre të radhës, më 18 mars, në Ohër, të arrijnë marrëveshje për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

‘E kemi bërë të qartë se koha është thelbësore. Kemi një luftë në Evropë. Nuk mund ta tolerojmë më këtë përballje të vazhdueshme me kriza, në lidhje me targat e makinave, barrikadat, zgjedhjet… Andaj, na duhet një marrëveshje më 18 (mars). Kjo është marrëveshja, e cila është në tryezë dhe duhet të zbatohet’, ka thënë ambasadori Rohde, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ambasadori Rohde ka pranuar se marrëveshja e propozuar nga Bashkimi Evropian nuk është marrëveshje përfundimtare, por është marrëveshja më e mirë e mundshme në këtë moment. Ai ka thënë se marrëveshja përfundimtare duhet të ketë brenda njohjen reciproke të dy shteteve.

“Të gjithë e kanë bërë të qartë që ky është një hap i ndërmjetëm, por shumë i rëndësishëm, sepse nis një dinamikë që çon në normalizim të plotë. Njohja reciproke është faza përfundimtare për ne, sepse pa njohje reciproke, nuk e shoh ndonjërin vend në BE, sepse ne nuk pranojmë vende që nuk e njohin njëra-tjetrën. Por, tani për tani, kjo është marrëveshja më e mirë që mund ta merrni dhe ka shumë përfitime, të cilat ua përmenda dhe fundi i (përpjekjeve) të Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Por, ambasadori Rohde ka thënë se Kosova fiton shumë me marrëveshjen që e ka vënë në tryezë Bashkimi Evropian.

“Siç kam thënë, Kosova ka shumë për të fituar: njohje de facto, integritet territorial, njohje të të gjitha dokumenteve dhe simboleve shtetërore dhe tejkalim i së kaluarës. Ky është një hap i madh përpara. Nuk është fundi, por mendoj se i vendos të dyja palët në rrugën evropiane”, është shprehur ai.

Ambasadori Rohde ka thënë se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“… e nënvizoj se është e rëndësishme që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është një obligim gati 10-vjeçar”, ka thënë ai.

“Duke e themeluar Asociacionin ne shpresojmë se do t’i integrojmë serbët e Kosovës brenda shtetit. Ky është një zhvillim i mirë. Unë e shoh nga kjo perspektivë”, ka shtuar Rohde.

Por, ai ka theksuar se Asociacioni duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës

“Ne ua kemi bërë të qartë të gjithë dhe miqve tanë këtu, në Kosovë, vijën e kuqe. Natyrisht, nuk ka asnjë mundësi të përafërt që të ketë një Republikë Sërpska të dytë. Cilado zgjidhje duhet të jetë në vijë me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të jetë baza e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 që janë ratifikuar nga Kosova”, ka thënë ai.

(r.m.)