Rohde: Procesi i Berlinit po kthehet në Berlin, Gjermania do të nxisë anëtarësimin e shpejtë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

Prishtinë, 20 tetor 2022 – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Procesi i Berlinit, po kthehet sërish në Berlin dhe se ai tani do të kryesohet nga kancelari Olaf Scholz.

Rohde ka thënë se ministrat e gjashtë vendeveee të Ballkanit Perëndimor do të shkojnë nesër në Berlin, për të diskutuar për disa tema.

“Procesi i Berlinit po kthehet në Berlin, i kryesuar nga Gjermania dhe i organizuar nga kancelari, Olaf Scholz. Gjatë ditës së nesërme, ministrat e brendshëm, të jashtëm dhe të energjisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë luftimin e krimit të organizuar, tregu i përbashkët rajonal dhe agjenda e gjelbër”, ka shkruar Rohde në një postim në Twitter.

“Është thelbësore të shfrytëzohet kjo mundësi, të ndërmerren hapa të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete në mënyrë që të sjellë përfitime për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai.

“Gjermania është e vendosur fort për të mbështetur dhe lehtësuar këtë proces dhe është e gatshme të marrë drejtimin për të nxitur sa më shpejt anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian!”, ka shkruar Rohde.

Para disa muajsh, ambasadori Rohde ka thënë se kancelari gjerman po e promovon Procesin e Berlinit, por nuk do të kundërshtojnë shtetet që duan të fuqizojnë bashkëpunimin rajonal përmes iniciativës “Ballkanit të Hapur”.

Por, ai ka ngritur çështjen nëse kjo iniciativë do të jetë gjithëpërfshirëse.

“Për momentin kjo nuk po duket e tillë, sepse janë disa vende që nuk janë pjesë e ‘Ballkanit të Hapur’”, është shprehur ai.

Procesi i Berlinit është një iniciativë diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes infrastrukturës, zhvillimit ekonomik, shkëmbimeve rinore, si parapërgatitje për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Nisma, e cila është mbështetur edhe nga Komisioni Evropian, është ndërmarrë më 28 gusht të vitit 2014 nga ish-kancelarja Angela Merkel, nën presence të kryeministrave, ministrave të punëve të jashtme dhe ministrave të ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Disa nga sukseset më të rëndësishme të këtij procesi janë marrëveshja për heqjen e çmimeve roaming, krijimi i korridoreve të gjelbra të transportit për të përshpejtuar procedurat kufitare, themelimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) dhe marrëveshja për krijimin e një tregu të përbashkët.

Ndryshe nga ky proces, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë një nismë tjetër për integrim të vendeve të rajonit, me emrin “Ballkani i Hapur”. Tri vendet tjera të rajonit (Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar t’i bashkohen kësaj nisme.

(r.m.)