Romano: Presim shtensionimin e plotë të situatës në veri të Kosovës

Beograd, 30 gusht 2023 – “Ne ende presim të shohim një shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano.

“Të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo ripërshkallëzim. Dhuna mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euro-atlantike të këtij rajoni”, tha Romano.

Ai përshëndeti hapat e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës që kanë të bëjnë me zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës rreth objekteve komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale.

“Rruga e vetme përpara është ajo përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian [BE], të cilin Aleanca Veri-atlantike e mbështet fuqishëm. Ne besojmë se Serbia, si një partnere afatgjatë e NATO-s, do të angazhohet për t’u përfshirë në një dialog të tillë në mënyrë konstruktive”, theksoi ndër tjerash shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd.

“Misioni ynë i KFOR-it gjithmonë do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara. Çdo ndryshim në numrat e KFOR-it do të bazohet në kushtet në terren, jo në afate të paracaktuara”, tha Romano.

Duke folur për ndikimin e Rusisë në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor, Romano deklaroi se shqetësimet për ndikimin e Rusisë në rajon “u bënë më intensive që kur filloi pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia”.

“Ajo që po shohim në të gjithë rajonin është përhapja e dezinformatave, detyrimeve, hakerëve dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese. Kjo është arsyeja pse NATO-ja do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale”, u shpreh Romano.

(r.m.)