Roth: Me Vuçiqin në krye, Serbia nuk mund të hyjë në BE

Berlin, 19 mars 2024 – Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të zgjedhë “mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputeti gjerman, në një postim në platformën X, ka thënë se Serbia nuk mund ta kushtëzojë Bashkimin Evropian me “ose Kosova ose Serbia”.

“Presidenti Vuçiq keqkuptoi diçka. Perspektiva e anëtarësimit në BE nuk vlen vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Nuk ka gjë të tillë siç është “ose Kosova ose Bashkimi Evropian”. Por, Vuçiqi ka të drejtë, me të në krye nuk ka asnjë mënyrë që Serbia të hyjë në BE”, ka shkruar Roth.

Një ditë më parë, Vuçiq e ka paralajmëruar Bashkimin Evropian se “duhet të zgjedhë” mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se Serbia do ta presë “momentin më të mirë të mundshëm.

“Nuk ka problem. I doni ata, nuk do të na keni ne. I doni ata, ndihmoni ata. Do të mbijetojmë. Kemi mësuar mjaftueshëm, jemi mjaftueshëm të mençur e të guximshëm. Kemi mësuar mjaft dhe kemi fituar mjaft përvojë, pas gjithë çfarë na kemi bërë gjatë 25 viteve të kaluara: të presim momentin më të mirë të mundshëm dhe ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”, është shprehur Vuçiq.

Kjo deklaratë e Vuçiqit ka nxitur reagime të shumta.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar këtë deklaratë si vazhdimësi të deklaratave kërcënuese të Vuçiqit. Ajo ka thënë se Vuçiqi është kërcënuar shpesh se “do ta sulmojë Kosovën” dhe ka theksuar se përpjekjet e Serbisë për ta pushtuar Kosovën do të dështojnë siç kanë dështuar prej vitit 1999.

“Njësoj si edhe në të kaluarën ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet  e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta, se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani për Telegrafin.

(r.m.)