Hagë, 16 shtator 2025 – Ish-zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, e përfundoi të martën dëshminë e tij në gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Ditën e dytë të dëshmisë së tij, Rubin iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë dhe të gjykatësve.
Rubin: Fillimisht ne e konsideronim UÇK-në organizatë me aktivitete terroriste
Fillimisht ai u pyet në lidhje me një dokument ku thuhej se Adem Demaçi e përshkruante Hashim Thaçin si zëdhënës të UÇK-së. Rubin tha se nuk kishte informacione për dallime brenda UÇK-së.
I pyetur nëse e kishte takuar Jakup Krasniqin gjatë kohës së luftës, Rubin tha se mendon se nuk e kishte takuar, dhe shtoi se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli kishin qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje.
“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”, tha ai.
Rubin pohoi se UÇK-ja ishte konsideruar në fillim si organizatë që merrej me aktivitete terroriste, prandaj ajo nuk ka pasur mbështetje nga Shtetet e Bashkuara.
“Ndoshta ne e shkelëm dëshirën tonë që të ishim në anën e engjujve gjithmonë. Ne fillimisht e përshkruanim si organizatë me aktivitete terroriste, dhe ne, sigurisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste”, tha ai.
Rubin
Rubin tha se ky qëndrim ndryshoi pas Marrëveshjes së Rambujesë.
“Ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë”, u shpreh ai.
Rubin: Organet e OKB-së shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë
Rubin e cilësoi jo të besueshme një raport të OKB-së të vitit 1998, ku flitej për rrëmbim të civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, si edhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së. Ai tha se kishte hezituar t’i besonte atij raporti.
“E kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën, shumë shpesh”, tha ai.
“Pra, kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti”, shtoi Rubin.
Rubin: Autori i shkrimit për vrasjen e rivalëve të Thaçit ka shkruar fjali të rreme
James Rubin u pyet për një artikull të gazetës The Neë York Times të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.
Sipas artikullit të lexuar në seancë nga prokurori, Hashim Thaçi e kishte drejtuar fushatën e vrasjes së disa komandantëve. Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit.
Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e shkrimit, Chris Hedges.
“Autori i këtij artikulli në mënyrë të vazhdueshme ka shkruar gjëra që kanë qenë të rreme”, tha ai
Rubin: S’e kuptoj përse mbahen në burg të akuzuarit që janë dorëzuar vullnetarisht
James Rubin tregoi arsyet pse ka refuzuar të jetë dëshmitar i Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Ai tha se kjo ka të bëjë me pikëpamjet e tij për Gjykatën Speciale dhe shtoi se kjo gjykatë në mënyrë të padrejtë po i mban në paraburgim pesë vjet të akuzuarit, të cilët janë u dorëzuar vullnetarisht në këtë gjykatë.
“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë. S’e kuptoj pse janë mbajtur kaq gjatë në burg. Kjo më shqetëson”, tha ai.
“Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së”, shtoi Rubin.
Rubin u përgjigj negativisht në pyetjen se a e di ai se për çfarë u themelua Gjykata Speciale. Ai tha se e di që kjo gjykatë është themeluar “me kërkesë të lidervë evropianë dhe amerikanë”.
Rubin tha se ai di se Dick Marty në raportin e tij e akuzonte Hashim Thaçin për trafikim organesh dhhe shtoi se “ato akuza nuk përfunduan askund”.
Rubin: Thaçin e konsideronim udhëheqës, sepse e kishin caktuar vetë shqiptarët
James Rubin përsëriti edhe një herë përshtypjet e tij për Hashim Thaçin në Konferencën e Rambujesë. Ai tha se Thaçi konsiderohej personi kryesor me të cilin duhet të punonte, në mënyrë që Marrëveshja e Rambujesë të pranohej nga UÇK-ja.
“Ne mendonim se LDK-ja, Veton Surroi, ishin dakord për këtë, dhe ajo [sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright] më tha që duhet të punoja me të [Thaçin], sepse ishte personi i rëndësishëm, ishte personi kryesor që e kishin caktuar shqiptarët e Kosovës”, tha Rubin.
“Nëse doni e quajmë udhëheqës, nëse doni person të kontaktit”, shtoi ai.
Rubin e përshkroi rolin e atëhershëm të Thaçit si të kryediplomatit të Kosovës.
“Pra, unë atë e kam parë si ministër të Jashtëm që i pasqyronte pikëpamjet e ushtrisë së vet, të qeverisë së vet dhe që të nënshkruante, pra ashtu si ministër të Punëve të Jashtme”, tha Rubin.
Rubin: Në UÇK nuk kishte kontroll dhe komandë efektive
Ish-zyrtari i lartë i SHBA-së, James Rubin, tha se në administratën e Presidentit Bill Clinton ishte diskutuar edhe për armatosjen e UÇK-së.
“Po bënim një gjykim sa i përket argumentit për armatosjen apo jo të UÇK-së”, tha ai.
Ai tregoi se gjatë diskutimeve ishte vlerësuar se kjo nuk ishte ide e mirë.
“Ne thamë se kjo nuk është ide e mirë, sepse, sipas nesh, në UÇK nuk ekzistonte një strukturë e mirëfilltë politike ose nuk ka kontroll efektiv”, tha ai.
“E kishim bërë gjykimin tonë më të mirë. E kishim bërë një vlerësim të tillë, duke marrë parasysh strukturën organizative të UÇK-së, duke marrë parasysh aspektin e kontrollit dhe të komandës. Ne besonim se UÇK-ja nuk kishte structure të organizuar”, tha ai.
“Në UÇK nuk kishte kontroll dhe komandë efektive”, theksoi ai.
Njëri nga gjykatësit kujtoi se, ditën e parë të dëshmisë së tij, Rubin kishte thënë se Hashim Thaçi ishte më shumë figura publike e UÇK-së se sa komand i saj. Ai e pyeti Rubinin se nga e dinte vendimet për UÇK-në i merrte krahu ushtarak i saj.
Duke u përgjigjur në këtë pyetje, Rubin tha se ky ishte perceptim i tij dhe nu kia kishte thënë askush.
Rubin u përgjigj edhe në pyetjen se ku ndodhej Thaçi gjatë luftës kur ai zhvillonte biseda telefonike me të. Ai tha se Thaçi kryesisht ishte brenda Kosovës.
“Më ka thënë se ishte në Kosovë, duke u fshehur që të mos vritej”, tha Rubin.
Rubin: E kishim paralajmëruar Thaçin të parandalohej hakmarrja ndaj serbëve
James Rubin pohoi se pas luftës, në fund të pranverës së vitit 1999, me Hashim Thaçin kishte diskutuar edhe lidhur me akuzat se pjesëtarë të UÇK-së gjoja kanë kryer krime lufte kundër serbëve dhe pakicave të tjera, në një takim në Kosovë. Ai tha se Thaçin e kishte paralajmëruar se UÇK-ja nuk do ta kishte mbështetjen e SHBA-së, nëse pjesëtarët e saj do të ketë hakmerreshin për krimet e Serbisë në Kosovë.
“Hashim, ne kemi shkuar në betejë për ty, kemi luftuar për ty, kemi vënë besueshmërinë tonë në rrezik për këtë gjë, dhe ne do të dilnim shumë shumë keq nëse ju ua bëni tani serbëve atë që ata ua kanë bërë juve në mënyrë të tmerrshme”, kujtoi t’i ketë thënë ai Thaçit.
Rubin tha se Thaçi kishte thënë se akuzat për krime lufte të pjesëtarëve të UÇK-së ishin të rrejshme dhe e kishte siguruar se do të bënte gjithçka që ishte në përgjegjësinë e tij, që kjo të mos ndodhte.
Rubin: Christopher Hill bënte komente negative për Thaçin
James Rubin edhe të martën përsëriti se i dërguari i SHBA-së Christopher Hill nuk ishte miqësor me Hashim Thaçin dhe do të jepte opinione negative për të.
“E dija se Chris Hill do të jepte shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente negative për Thaçin te delegacioni amerikan, dhe mund t’i bënte këto edhe për senatorin Bobe Dole”, tha Rubin.
I pyetur nga gjykatësi Christoph Barthe nëse Thaçi po fshihej kur duhet të nënshkruhej marrëveshja në Rambuje, Rubin tha se Thaçi i kishte thënë se i duhej të udhëtonte maleve, sepse për të kishte fletarrest të lëshuar nga Serbia. Ai tha se fletarrestin nuk e kishte parë, por i besonte Thaçit.
Rubin: Thaçi e kishte siguruar presidentin Clinton se nuk do të kishte hakmarrje
James Rubin dëshmoi edhe për një telefonatë të Hashim Thaçit me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në qershor 1999. Ai tha se Thaçi ishte zotuar se do t’i respektonte pakicat, ndonëse populli i tij ishte keqtrajtuar me vite të tëra.
“Unë kam dëgjuar këtë nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton, sepse unë nuk kam folur drejtpërdrejt me presidentin. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”, tha Rubin.
“Nuk do të merrnin hak gjatë kohës që trupat serbe po largoheshin dhe NATO-ja do ta merrte përsipër situatën. Sigurisht që mund të kishte akte dhune në këto situata, por presidentit Clinton i kishte bërë shumë përshtypje kjo dhe këtë ma tha Berger”, u shpreh Rubin.
Rubin: Thaçi kishte eprorë nga të cilët duhet të merrte miratime
James Rubin tha se gjatë Konferencës së Rambujesë Hashim Thaçi nuk i ka thënë asnjëherë se çfarë do të bënte apo me kë duhet të konsultohej për marrjen e vendimeve.
“Thaçin e njoha në Rambuje dhe ai nuk ishte i hapur me mua dhe as unë më. Ai nuk më tregonte çfarë do të bënte dhe pse do t’i bënte”, tha Rubin.
Por, ai theksoi se e kishte të qartë se Thaçi kishte diku “eprorë nga të cilët duhet të merrte miratimin”.
“Ai ishte shumë i mjegullt në gjuhën e tij. Thoshte se duhet të konsultohej me komunitetin, me udhëheqësit, me popullin. Unë nënkuptova që [Adem] Demaçi ishte shumë i rëndësishëm, sepse ai kishte folur me Medeleine Albright. Ai ishte ndër personat që nuk ishte në favor të [marrëveshjes] së Rambujesë. Fakti që [Thaçi] duhet të konsultohej me të, sipas meje, bënte që ai të përpiqe j t’i përfshinte të gjithë në proces. Nuk e di se a i kërkohej ta bënte këtë”, tha Rubin.
Rubin: Demaçi ishte person me ndikim, por nuk kishte rol ekzekutiv
James Rubin u pyet nga gjyqtari zviceran, Guénaël Mettraux, për rolin e Adem Demaçit në UÇK dhe për kundërshtimin e Marrëveshjes së Rambujesë nga ai. Rubin tha se ndikimi i Demaçit ishte ideologjik dhe jo ekzekutiv dhe shtoi se SHBA ia bënë të mundur Hashim Thaçit ta kapërcente rezistencën e Demaçit.
Rubin tha se ai nuk e kishte takuar kurrë drejtpërdrejt Demaçin dhe as nuk kishte komunikuar me të, prandaj nuk kishte dijeni që ai të kishte lëshuar urdhra apo të kishte marrë vendime si përfaqësues i UÇK-së. Por, ai e përshkroi Demaçin si figurë historike e simbolike dhe se ndikimi i tij buronte nga qëndrimet e tij politike dhe jo nga ndonjë pozitë ekzekutive.
Rubin: Qeveria e përkohshme e Kosovës ishte aspiratë, jo realitet
Gjatë pyetjeve të gjyqtarit zviceran, Guénaël Mettraux, James Rubin dëshmoi se më 19 qershor 1999 ishte e qartë se Hashim Thaçi do të ishte ai që do ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë në emër të UÇK-së. Ai tha se dokumenti që e kishte parë dukej se ishte përgatitur për dikë tjetër, ndoshta për Agim Çekun, të cilin oficerët e NATO-s e quanin komandant të UÇK-së. Por, kur u vendos që Thaçi të ishte nënshkruesi, dokumenti u përshtat, pa e ndryshuar titullin poshtë firmës, që e përshkruante atë si “komandant i përgjithshëm i UÇK-së”.
I pyetur përse ishte përdorur ky titull, Rubin kujtoi se më parë kishte sugjeruar se kjo kishte për qëllim të tregonte kredenciale demokratike, si kontrolli civil mbi ushtrinë, por e cilësoi këtë si “anomali”. Ai theksoi edhe një herë se UÇK-ja “nuk ishte një strukturë ushtarake formale dhe shpesh paraqitej në mënyra që u përshtateshin vlerave perëndimore”.
Rubin tha se në kohën e nënshkrimit të marrkohën e nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë nuk ekzistonte një qeveri e përkohshme e Kosovës funksionale. Ai tha se kjo ishte “më shumë aspiratë se realitet”.
Rubin tha se deklaratat publike të bëra në vitin 1999 nga figura të UÇK-së, përfshirë gjeneral Agim Çekun, lidhur me ndjekjen e urdhrave nga një “qeveri e përkohshme e Kosovës” ishin propagandë dhe aspirata e jo realitet politik apo ushtarak.
Ai tha se e kishte dëgjuar Çekun ta përmendte një “Shtab të Përgjithshëm” dhe një “Qeveri të Përkohshme” që do të konsideroheshin si urdhërdhënës për UÇK-në, por theksoi se këto deklarata i shihte si përpjekje për të krijuar imazhin e kontrollit civil mbi ushtrinë.
“Ata donin që bota të dëgjonte se ushtria po i përgjigjej një autoriteti civil”, tha Rubin.
“Shpesh ata e ekzagjeronin këtë për të krijuar përshtypjen se ishin më të organizuar sesa ishin në të vërtetë dhe për të treguar se i përqafonin parimet demokratike”, tha Rubin.
Ai tha se kjo ishte menduar për të fituar mbështetje ndërkombëtare.
Ish-zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, ishte ftuar dëshmitar nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit.
Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë të mërkurën me dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes së të akuzuarve nga Prokuroria Speciale.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit. Thaçi akuzohet edhe për përpjekjet që dëshmitarët e prokurorisë të binden t’i tërheqin dëshmitë e tyre kundër tij.
(Sipas Radios Evropa e Lirë)