Uashington, 6 gusht 2025 – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të mërkurën se është pajtuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, që Shtetet e Bashkuara dhe Serbia të zhvillojnë dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti.
“Jemi të përkushtuar për marrëdhënie me dobi të ndërsjellë me Serbinë, e cilat sjellin përfitime për qytetarët tanë dhe interesat tona”, ka shkruar Rubio në platformën X, pas takimit me Gjuriqin në Departamenti amerikan të Shtetit, në Uashington.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, njoftoi se Rubio dhe Gjuriq kanë biseduar edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë.
“Ata diskutuan gjithashtu për rëndësinë e uljes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me Kosovën dhe në Bosnjë-Hercegovinë, për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të përgatitur terrenin për rritje ekonomike dhe prosperitet”, tha ajo.
Gjuriq e cilësoi si “një mundësi të madhe për Serbinë” vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Mendoj se do të shohim më shumë rezultate dhe hapa më konkretë në javët dhe muajt në vijim. Vetë fakti që unë jam praktikisht ndër të parët nga pjesa jonë e botës si ministër këtu është një akt respekti dhe një dëshirë e sinqertë për të ndryshuar diçka për mirë”, ka thënë Gjuriq për agjencinë serbe Tanjug.
Sipas tij, te pala amerikane ka parë “një oreks të madh” për të thelluar bashkëpunimin ekonomik me Serbinë përmes projekteve në fushë të energjisë, infrastrukturës, teknologjive të reja, shkencës, arsimit dhe kulturës.
“Mendoj se kjo është një mundësi që duhet ta shfrytëzojmë, sepse administrata e udhëhequr nga presidenti Trump ka nevojë edhe për aleatë dhe miq dhe Serbia, historikisht, dikur ishte në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe besoj se mund të jetë përsëri”, theksoi ai.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Në janar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara së shpejti do të finalizojnë një marrëveshje për dialogun strategjik, por nuk është e qartë se kur do të fillojë ai.
Vitet e fundit SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik me Shqipërinë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se më 7 gusht do të hyjnë në fuqi tarifat e reja tregtare. Sipas vendimit, Serbia do të goditet me 35 për qind tarifa.
As Rubio e as Gjuriq nuk e kanë përmendur çështjen e tarifave në deklaratat e tyre.
(r.m.)