Rusi: Një avion ushtarak rus rrëzohet pranë një ndërtese banimi

Moskë, 17 tetor 2022 – Të paktën dy persona u vranë më 17 tetor pasi një avion ushtarak rus u rrëzua pranë një ndërtese shumëkatëshe banimi.

Avioni u rrëzua në qytetin rus Jeisk, në rajonin jugperëndimor të Krasnodar Krai.

Ky rajon gjendet në kufirin midis Rusisë dhe Gadishullit ukrainas të Krimesë, që Moska aneksoi paligjshëm më 2014.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Emergjencave, edhe 15 persona janë plagosur.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se pilotët kanë arritur të katapultohen dhe kanë raportuar se shkaku i rrëzimit ishte një zjarr që shpërtheu në njërin prej motorëve të fluturakes gjatë nisjes.

“Në vendin ku avioni Sukhoi Su-34 u rrëzua, në një zonë të banuar, karburanti i fluturakes u përfshi nga zjarri”, tha ministria.

Megjithatë, banorët lokalë thanë se është dëgjuar shpërthim pas rrëzimit të avionit dhe më pas avioni u përfshi nga flakët, duke sugjeruar se kanë shpërthyer municionet që gjendeshin në fluturake.

Sipas shërbimeve emergjente, që janë cituar nga agjencitë shtetërore të lajmeve në Rusi, flakët kanë arritur në katin e pesë deri në nëntin të ndërtesës.

Guvernatori rajonal, Veniamin Kondratyev, tha në Telegram se të gjitha njësitë e zjarrfikësve dhe të shpëtimit në këtë rajon, po punojnë që të shuajnë zjarrin.

Sipas informacioneve preliminare, 17 banesa janë prekur nga zjarri, tha Kondratyev.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka udhëzuar zyrtarët që të japin të gjithë ndihmën e nevojshme për qytetarët e prekur dhe ka urdhëruar guvernatorin e Krasnodar Krai, kreun e Ministrisë së Emergjencave dhe atë të Shëndetësisë që të shkojnë në vendin e ngjarjes.

(REL)